Raporti Vjetor i Performancës, viti 2014
Mesazh i Kryetarit të KLSH
Viti 2014 ka
përfaqësuar për KLSH vitin e dytë të zbatimit të Strategjisë së tij të
Zhvillimit 2013-2017, të bazuar në drejtimet kryesore strategjike të INTOSAI -t
dhe EUROSAI-t, strategji e cila synon sjelljen e veprimtarisë
audituese të institucionit në parametrat e institucioneve të
zhvilluara simotra të Bashkimit Evropian, në respektim të plotë të mandatit
kushtetues të KLSH dhe të pritshmërive të Kuvendit dhe qytetarëve.
Në terësi, nisur
nga sasia dhe cilësia e auditimeve të kryera, nga gjetjet dhe rekomandimet e
dhëna, nga përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin me fondet
publike, viti 2014 përfaqëson vitin e konsolidimit të reformave të
ndërmarra gjatë viteve 2012-2013 dhe vit në të cilin institucioni ka fituar ne
mënyrë më të plotë fizionominë e një institucioni modern të auditimit suprem
publik, me qasje evropiane.
Filozofia e re e
punës ka synuar zbatimin rigoroz të standardeve profesionale të fushës ISSAI,
duke realizuar shkëputjen perfundimtare të KLSH nga tradita
shumëvjeçare e një strukture të orientuar për nga inspektimi financiar,
në një trupë auditimi që kërkon shtimin e vlerës së parasë publike të shpenzuar
për investime dhe shërbime ndaj qytetarëve, duke u përqëndruar në auditimin e
mirëfilltë financiar dhe në auditimin e performancës, pa harruar investimin në
teknologji dhe në dijet për realizimin e auditimeve të teknologjisë së
informacionit.
Auditimet tona për
vitin 2014 janë përzgjedhur mbi bazën e analizës së riskut dhe kanë synuar
rritjen e thellësisë së gjetjeve të auditimit dhe dobishmërisë së
rekomandimeve, duke e parë institucionin e audituar në funksionimin
e tij në sistem. KLSH ka vënë theksin
në plotësimin e rekomandimeve të auditimeve
të mëparshme, duke kërkuar rritjen e
nivelit të përgjegjshmërisë dhe transparencës së menaxhimit të
institucioneve të audituara.
Në dhjetor
2014, në një kohë që përkon afërsisht me miratimin e Rezolutës së Dytë të
Kombeve të Bashkuara, kushtuar forcimit dhe mbështetjes së institucioneve
supreme të auditimit dhe organizatës së tyre INTOSAI, Kuvendi i Shqipërisë
miratoi ligjin e ri organik të KLSH, tërësisht në përputhje
me standardet e INTOSAI-t, duke zbatuar
rekomandimet e Progres Raporteve të Bashkimit
Evropian dhe duke i siguruar institucionit bazën për një modernizim të plotë të
aktivitetit të tij auditues.
Gjatë vitit 2014,
KLSH ka rritur dhe konsoliduar më tej hapat e ndërmarrë në vitet 2012 dhe 2013
për një transparencë të plotë me publikun dhe qytetarët, nëpërmjet njoftimeve
për shtyp, botimeve të tij, editorialeve të shkruara nga audituesit në shtypin
shqiptar dhe realizimit të Konferencës së Tretë Shkencore për Auditimin Publik.
Institucioni ka
konsoliduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë si DG-Budget, SIGMA
dhe institucionet simotra evropiane, por edhe me profesoratin shqiptar, me
organizatat profesionale të vendit dhe me shoqërinë civile, drejt
një qasjeje të re gjithëpërfshirëse, ku këta partnerë, krahas
aktiviteteve të përbashkëta, japin kontribut edhe në procesin e vetëvlerësimit
të institucionit dhe në rritjen e integritetit të tij. KLSH ka
përqafuar qasjen INTOSAINT të organizatës INTOSAI, të vetëvlërësimit të
integritetit, duke synuar rritjen e integritetit jo vetëm brënda
tij, por edhe kufizimin dhe parandalimin e korrupsionit në institucionet që ai
auditon, nëpërmjet vetëvlerësimit të integritetit.
Viti 2014 shënoi edhe konsolidimin e investimit në kapacitetet audituese, duke
qenë viti i tretë rradhazi i arritjeve të treguesve perëndimorë në ditët e
trajnimeve në vit për auditues, nisur nga një bazë e papërfillshme e trashëguar
nga vitet e mëparshme.
Të gjitha këto arritje dhe tregues janë vetëm fillimi i qasjes së re, për një auditim sa më cilësor, në shërbim të qytetarit, të orientuar drejt shëndoshjes së plotë të financave publike dhe rritjes së përgjegjshmërisë dhe transparencës në përdorimin e fondeve publike. Është siguruar një bazë e mirë për reformim të mëtejshëm, e konsoliduar gjatë vitit 2014, por për plotësimin e sfidave të mësipërme, KLSH ka nevojë për një bashkëpunim sa më efektiv me Kuvendin, me institucionet e tjera të pavarura që luftojnë për mirëqeverisjen publike dhe kundër korrupsionit, me Qeverinë, shoqërinë civile dhe qytetarin.