Njoftim për shtyp
Departamenti i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ushtroi një auditim me temë “Efektiviteti i politikave në ruajtjen dhe administrimin e siteve arkeologjike” në subjektet Ministria e Kulturës, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Parku Arkeologjik Kombëtar i Butrintit dhe Njësia e Administrimit dhe Koordinimit të parqeve arkeologjike të Apolonisë dhe të Bylisit.
Kontrolli
i Lartë i Shtetit në përfundim të auditimit ka dalë në mesazhin e auditimit:
Politikat shtetërore të ndjekura nga Ministria e Kulturës, si ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, për ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin dhe administrimin e siteve arkeologjike, për shkak të mungesës së një kuadri rregullator të plotë në menaxhimin e tyre, nuk kanë rezultuar efektive. Mbivendosja e legjislacionit, si pasojë e funksionimit të njëkohshëm të dy ligjeve për trashëgiminë kulturore, mungesa e akteve nënligjore zbatuese, miratimi i dokumentit strategjik pa plane konkrete veprimi, komunikimi ndërinstitucional i dobët, kanë bërë që menaxhimi i siteve të mos jenë efektiv.
Përzgjedhja e kritereve të menaxhimit nuk është bërë mbi bazën e studimeve të kryera nga Ministria e Kulturës, si dhe modelit më të mirë të integruar në kushtet shqiptare. Ndryshimi i strukturave të organizimit, funksionimit dhe administrimit të Njësive të Administrimit dhe Koordinimit të parqeve arkeologjike (NJAKPA), është kryer pa analiza financiare, pa analiza burimesh njerëzore dhe nevojash për aftësi profesionale specifike, pa një planifikim mbi nevojat e konstatuara dhe rezultatet e dëshiruara.
Ministria e Kulturës, institucionet e specializuara në fushën e trashëgimisë kulturore dhe NJAKPA-të kanë shfaqur dobësi në marrjen e masave për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të parqeve arkeologjike. Në mungesë të planeve për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e pasurisë kulturore, menaxhimi i siteve në këtë aspekt, nuk ka pasur efektivitet të plotë. Mangësitë infrastrukturore, logjistike dhe njerëzore, në administrimin e parqeve, janë bërë pengesë për krijimit e kushteve sa më të përshtatshme për shfrytëzimin publik të tyre, nga ana e vizitorëve.
Mangësi konstatohen edhe në promovimin e tyre nëpërmjet kanaleve të komunikimit masiv. Ministria e Kulturës nuk ka asnjë plan veprimi, sa i takon marrëdhënieve me mediat vizive, lidhur me prodhimin, promovimin dhe transmetimin e dokumentarëve mbi sitet arkeologjike”. Për të gjitha gjetjet dhe konkluzionet janë dhënë rekomandime të veçanta me qëllim përmirësimin e situatës në administrimin dhe ruajtjen e siteve arkeologjike. Rekomandimet janë fokusuar në përmirësime organizative (marrëveshje bashkëpunimi, ngritjen e grupeve të punës ndërinstitucionale, promovimin e siteve arkeologjike, etj), por edhe në drejtim të hartimit/përmirësimit dhe zbatimit të kuadrit ligjor dhe rregullator.
Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar 12 masa propozime për ndryshime apo përmirësime në legjislacionin në fuqi dhe 50 masa organizative, me Vendimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr. 52, datë 26.04.2021.
Për sa trajtuar më lart, në mënyrë të detajuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm: