Raport Përfundimtar i Auditimit në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR)

Njoftim për shtyp

Departamenti i Auditimit të Institucioneve Qendrore në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit tematik nr.810/1, datë 01.09.2020, auditoi veprimtarinë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për periudhën nga 01.01.2018 deri në 31.08.2020.

Lidhur me verifikimin dhe zbatimin e kompetencave të përgjithshme dhe të veçanta të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore, në lidhje mbi procedurat dhe kriteret e ndjekura për njohjen dhe njësimin e certifikatave, diplomave, të fituara jashtë vendit si dhe arkëtimit të tarifave të shërbimeve në buxhetin e shtetit, verifikimin dhe zbatimin e kompetencave të përgjithshme dhe të veçanta të MASR në lidhje mbi procedurat dhe kriteret e ndjekura për njohjen dhe njësimin e gradave shkencore dhe titujve akademikë, të fituara jashtë vendit si dhe arkëtimit të tarifave të shërbimeve në buxhetin e shtetit.

KLSH ka evidentuar se Udhëzimet e miratuara nga titullari i MASR, janë hartuar jo në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi, duke mbartur riskun e cenimit të kontrolleve të brendshme që në fazën e hartimit të tyre, risqe të cilat më pas mbarten edhe në fazën e implementimit, duke mos i shërbyer funksionimit efektiv për të cilin janë hartuar.

Janë krijuar struktura për njësimin e certifikatave, diplomave e gradave shkencore, pa siguruar detyra funksionale juridike, deri diku të mbivendosura, në kundërshtim me ligjin nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë’ neni 9, 10 dhe 92; ligjin nr.90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” neni 6; ligjin nr.10296 datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” i ndryshuar neni 20; VKM nr.560 datë 29.09.2018 “Për caktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore”; dhe Urdhrin e Kryeministrit nr. 146, datë 28.09.2018 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Qendrës së Shërbimeve Arsimore.”.

QSHA, funksionon me një Rregullore të brendshme nr.1462 prot. datë 02.09.2014, miratuar nga Ministri i Arsimit dhe Sportit, e cila nuk reflekton ndryshimet e strukturës sipas Urdhrit të Kryeministrit nr.146, datë 28.09.2018 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Qendrës së Shërbimeve Arsimore”. Edhe pse QSHA me shkresën nr. 580 prot. datë 30.01.2019, ka dërguar për miratim në MASR, Draft- Rregulloren e Brendshme, e cila ende nuk është miratuar nga titullari i MASR, në kundërshtim me ligjin nr.10296 datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” i ndryshuar neni 20.

Në referim të nenit 6, të ligjit nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, (institucione varësie), është e drejta e Këshillit të Ministrave, për krijimin dhe mbylljen e strukturave të varësisë, dhe jo e Ministrit të Arsimit dhe për rrjedhojë, edhe Udhëzimi i Ministrit të Arsimit nr. 8, datë 13.03.2017 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore”, është në kundërshtim me referencën ligjore.

Në bazë të Urdhrit të Kryeministrit nr.163 datë 05.10.2017 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, është suprimuar Sektori i njohjes së diplomave/gradave shkencore, sektor që deri në momentin e hartimit të këtij materiali nuk ekziston dhe për rrjedhojë detyrën e realizon sekretariati teknik, ku anëtarë janë specialistë të emëruar në detyra të tjera funksionale, por që kryejnë dhe këtë detyrim shtesë, për të cilin as nuk vlerësohen nga eprori direkt, në kundërshtim me ligjin nr.152/2013 “Për nëpunësin civil” neni 62 ku parashikohet se, komisionet ad hoc dhe sekretariati teknik, ngrihen kohë mbas kohe, me urdhër të titullarit të MASR dhe këto “struktura” nuk janë të përhershme.

Ka munguar një kuadër rregullator i mirëfilltë mbi të cilin të kryhet vlerësimi i titujve shkencorë, i cili deri më tani është kryer me komisione ad hoc; ka munguar një kriter mbi afatet/kohën e procedurave që ndjek komisioni ad hoc për shqyrtimin e dokumentacionit deri në vendimmarrje, që ka sjellë zgjatje të procedurave deri në disa muaj.

Në përfundim të auditimit janë dhënë: 1 masë propozime për ndryshime dhe përmirësime ligjore dhe 4 masa organizative.

 

Për më hollësisht, mbi sa më lartë trajtuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raporti Përfundimtar i Auditimit