KLSH merr pjesë në Kongresin e XI të EUROSAI-t

Organizata Europiane e Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), zhvilloi Kongresin e tij të XI.

Në kongresin e zhvilluar online më datë 14 prill 2021, mori pjesë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Z. Arben Shehu. Kongres XI i EUROSAI ishte i një rëndësie të veçantë pasi Kosova u bë anëtari i 51-të me të drejta të plota.

Eventi u organizua nga Republika Çeke, e cila mori Presidencën 3-vjeçare 2021-2024, kryesimi i së cilës tre vitet e fundit ishte mbajtur nga Gjykata e Llogarive të Turqisë.

Në Kongresin e XI u morën disa vendime të rëndësishme, si zgjedhja e dy anëtarëve të rinj në Bordin Drejtues të EUROSAI-t, respektivisht Institucioni Suprem i Auditimit të Britanisë së Madhe dhe Institucioni Suprem i Auditimit të Lituanisë.

Gjithashtu u votua me shumicë votash kryesimi pasardhës i kësaj organizate nga Izraeli për periudhën 2024-2027.


Në Kongresin e XI të EUROSAI ku morën pjesë 48 Institucione Supreme të Auditimit u votua me shumicë të cilësuar ndryshimi i Statutit të EUROSAI, i cili bën të mundur përfshirjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në buxhetin e kësaj organizate duke e bërë Kosovën anëtaren e 51 me të drejta të plota.

Gjatë eventit u diskutua Plani Strategjik 2017-2023 i miratuar në Kongresin e X të EUROSAI-t në Stamboll ku objektivat kryesore të tij ishin: Mbështetja e auditimeve efektive, inovative dhe relevante duke promovuar dhe ndërmjetësuar bashkëpunimin profesional dhe ndihma e SAI-eve në trajtimin e mundësive dhe sfidave të reja, duke mbështetur dhe lehtësuar zhvillimin e kapaciteteve të tyre institucionale.