Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu ditën e sotme 18 janar 2021 zhvilloi një takim pune me Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, znj. Aida Hajnaj në ambientet e KLSH.
Në qendër të takimit ishte diskutimi për fusha me rëndësi të veçantë në të cilat do të fokusohet procesi i punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në vazhdimësi.
Kreu i KLSH-së dhe drejtuesja e BKH-së theksuan intensifikimin e punës për evidentimin dhe vendosjes para organeve të drejtësisë të shkelësve të ligjit. Takimi i zotit Shehu dhe zonjës Hajnaj është në vijimësi të takimeve dhe marrëveshjeve që KLSH ka bërë me institucione ligjzbatuese në vend në kuadër të rritjes së frymës së bashkëpunimit mes institucioneve me fokus kryesor luftën ndaj korrupsionit.