23-24 qershor 2025
Në datat 23-24 qershor 2025, në kuadër të auditimit paralel të performancës me temë “Mbrojtja dhe siguria e digave” që po zhvillohet nga KLSH dhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës u vizituan disa diga në Shqipëri.
Gjatë kësaj vizite dy-ditore, të dy grupet e auditimit vizituan nga afër digën e Liqenit Artificial të Tiranës, si edhe digat e Banjës dhe Moglicës. Diga e Moglicës është edhe diga më e lartë në Shqipëri me 166.5m lartësi dhe paraqet një rëndësi të veçantë për sektorin hidroenergjetik duke shtuar këtu edhe faktin se ajo është e ndërtuar në 10-vjeçarin e fundit.
Në vizitat në digat e Banjës dhe Moglicës grupet e auditimit u shoqëruan nga institucionet që mbikëqyrin sigurinë e këtyre digave.
Këto vizita përveç se ndikojnë në qartësimin e situatës, problematikave dhe nevojave për përmirësim, përbëjnë një mundësi shumë të mirë për të mbështetur konkluzionet e grupeve të auditimit në raportet respektive të auditimit.
Në këto vizita, nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës morën pjesë znj. Arjana Gjonbalaj Drejtor i Auditimit të Performancës së ZKA-së, znj. Alba Keqa dhe znj. Kujtesa Alaj, ndërsa nga KLSH morën pjesë Aulent Guri, përgjegjës i grupit të auditimit dhe Artan Topjana.
