5-6 qershor 2025
Në datat 5-6 qershor 2025, në Bukuresht u mbajt takimi i tretë i Grup Projektit mbi Objektivin Strategjik nr. 1, me fokus realizimin e auditimeve në kohë reale. Takimi u kryesua nga SAI i Italisë dhe kishte qëllim kryesor të nxisë shkëmbimin e eksperiencave dhe përvojave mes institucioneve Supreme të Auditimit të komunitetit EUROSAI, në lidhje me auditimin në kohë reale. Në këtë takim 2 ditor u diskutua dhe miratua dokumenti i emërtuar “Non paper”, i cili faktikisht nuk është një dokument zyrtar obligues, por një set parimesh dhe karakteristikash të përbashkëta për t’u mbajtur në konsideratë gjatë realizimit të auditimeve në kohë reale. Ky dokument është rezultat i diskutimeve të këtij grupi vitin e kaluar, ku KLSH është pjesëmarrëse.
Nevoja për auditime në kohë reale lindi nga trysnia që Institucionet Supreme të Auditimit kanë nga Parlamentet respektive, publiku dhe palët e interesit për t’ju përgjigjur problematikave aktuale. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Gjykatës së Llogarive të Rumanisë solli në vëmendje se sot interesi nuk është mbi zbatimin e buxheteve, apo shkeljet në procedura prokurimesh të cilat kanë ndodhur vite më parë. Publiku dhe Parlamenti duan të jenë të informuar se si po përdoren aktualisht paratë e taksa paguesve dhe çfarë masash po marrin SAI-t për të parandaluar keq përdorimin e tyre, apo nëse qeveritë po ju përgjigjen në mënyrë optimale situatave të emergjencës.
Gjatë takimit të tretë, u diskutuan përfitimet dhe metodologjitë për aplikimin e këtij lloj auditimi nga disa prej vendeve të cilat kanë realizuar tashmë auditime të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Rumania, apo Serbia, por gjithashtu u shtruan edhe shumë pyetje dhe komente apo sfida nga pjesa më e madhe e vendeve të cilat ende nuk e kanë aplikuar këtë lloj auditimi. Këto lloj auditimesh mund të aplikohen gjatë hartimit implementimit të programeve apo projekteve të ndryshme, por edhe gjatë realizimit të procedurave të prokurimit. Nëpërmjet auditimeve në kohë reale, SAI mund të ofrojë në kohë rekomandime për përmirësime. Gjatë këtij takimi, disa prej SAI-ve sollën dhe eksperiencat e tyre në aplikimin e këtij auditimi ku përmendim auditimin në kohë reale të SAI-t të Kroacisë, Portugalisë, Serbisë etj, të cilët pavarësisht temave apo qasjeve të ndryshme të përdorura, kishin të përbashkët kohën e shkurtër të realizimit të auditimit, raporte koncize dhe të shkurtra, të orientuar përgjithësisht drejt informacionit vizual me grafikë dhe statistika, hartimin e raporteve të pjesshme apo të ndërmjetme në varësi të riskut të çështjes së audituar, etj.
Në përfundim të takimit dy ditor u miratua edhe dokumenti mbi metodologjinë dhe përfitimet nga auditimet në kohë reale me fokus si vijon:
Përfitimet e Auditimit në Kohë Reale
Informacione në Kohë:
Auditimet në kohë reale ofrojnë informacion mbi ngjarjet që janë në zhvillim, duke lejuar identifikimin më të shpejtë të problemeve dhe rreziqeve të mundshme.
Menaxhim i Përmirësuar i Riskut:
Duke monitoruar operacionet në vazhdim, auditimet në kohë reale mund të ndihmojnë në identifikimin dhe adresimin e rreziqeve para se ato të përshkallëzohen.
Qeverisje e Përmirësuar:
Auditimet në kohë reale mund të promovojnë llogaridhënien dhe transparencën duke ofruar monitorim dhe vlerësim të vazhdueshëm të aktiviteteve të sektorit publik.
Masa Parandaluese:
Auditimet në kohë reale janë më të fokusuara në parandalimin e problemeve sesa në korrigjimin e tyre pasi ato ndodhin.
Përshtatshmëria ndaj Emergjencave:
Aftësia për t’u përshtatur dhe për t’iu përgjigjur shpejt rrethanave në ndryshim është thelbësore, veçanërisht gjatë krizave si pandemitë ose konfliktet.
Metodologjitë e Auditimit në Kohë Reale:
Fokusimi në Rëndësinë Publike: Prioritizimi i auditimeve që adresojnë çështjet me ndikim të konsiderueshëm publik.
Kontributi në Parandalim:
Fokusimi në auditimet që mund të parandalojnë dëmtime të pakthyeshme ose dëmtime serioze.
Aftësia për të Ndikuar në Rezultate:
Kryerja e auditimeve që kanë potencialin të ndikojnë në rezultatin e proceseve në vazhdim.
Shkalla e Kompleksitetit:
Balancimi i nevojës për kohëzgjatje me kompleksitetin e temës që shqyrtohet.
Përdorimi i Njohurive Ekzistuese:
Shfrytëzimi i njohurive dhe përvojës ekzistuese për të informuar procesin e auditimit.
Respektimi i të Drejtave të Subjektit të Audituar:
Sigurimi që të drejtat e subjektit të audituar të mbrohen dhe që procesi i auditimit të kryhet në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Kontrolli i Cilësisë:
Zbatimi i procedurave për të siguruar që auditimi të ruajë cilësinë, saktësinë dhe tërësinë e tij, edhe nën kufizime kohore.
Komunikimi i Rregullt: Mbajtja e komunikimit të hapur me subjektin e audituar për të siguruar transparencë dhe bashkëpunim.