Banner

Posta Shqiptare nxjerr në qarkullim dy pulla postare për 100-vjetorin e Kontrollit të Lartë të Shtetit

Kryefaqja » Njoftime » Posta Shqiptare nxjerr në qarkullim dy pulla postare për 100-vjetorin e Kontrollit të Lartë të Shtetit
Kryetari

Posta Shqiptare nxjerr në qarkullim dy pulla postare për 100-vjetorin e Kontrollit të Lartë të Shtetit

Në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në datën 20.05.2025, Posta Shqiptare nxori në qarkullim një seri të re me dy pulla postare, si dhe zarfin e ditës së parë, të personalizuar me logon “100-vjetori i Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Pulla e parë paraqet portretin e z. Fejzi Alizoti, i cili ishte drejtuesi i parë i institucionit që asokohe mbante emërtimin Këshilli Kontrollues. Z. Alizoti ishte politikan, ekonomist dhe diplomat me një kontribut të spikatur në administratën publike shqiptare, duke përfshirë edhe detyrën e Ministrit të Financave. Në maj të vitit 1925, Fejzi Alizoti u zgjodh Kryetar i Këshillit Kontrollues, duke nisur një epokë të re në mbikëqyrjen financiare të shtetit shqiptar. Pulla e dytë përmban stemën aktuale zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke përfaqësuar vazhdimësinë e historisë institucionale dhe misionin e pandryshuar të mbrojtjes së interesit publik.

Zarfi i ditës së parë përfshin të dyja pullat, si dhe vulën origjinale dygjuhëshe në shqip dhe frëngjisht të Këshillit Kontrollues të Financave që u përdor në vitet e para të funksionimit deri në periudhën e Mbretërisë Shqiptare, duke i dhënë vlerë filatelike dhe historike të veçantë kësaj serie.

Seria e re e pullave postare dhe zarfi i personalizuar me logon e 100-vjetorit të KLSH-së janë tashmë në dispozicion në të gjitha pikat e Postës Shqiptare, duke u kthyer në një objekt me rëndësi për koleksionistët, institucionet publike dhe qytetarët që vlerësojnë historinë dhe trashëgiminë institucionale të Shqipërisë.

           


E-mail zyrtar