Banner

Pjesëmarrja e KLSH-së në eventin e lançimit të projekteve “Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik kundër korrupsionit” dhe “Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri”

Kryefaqja » Uncategorized » Pjesëmarrja e KLSH-së në eventin e lançimit të projekteve “Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik kundër korrupsionit” dhe “Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri”

Në datën 30 janar 2026, u zhvillua eventi i lançimit të projekteve “Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik kundër korrupsionit” dhe “Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri”, të bashkëfinancuar nga shteti i Zvicrës dhe Këshilli i Evropës, të implementuara nga ky i fundit.

Në takim morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga Këshilli i Evropës, Ambasada Zvicerane, institucionet publike shqiptare dhe organizata të shoqërisë civile. Ai shërbeu si një platformë për prezantimin e objektivave strategjikë të projekteve, fushave kryesore të ndërhyrjes, si dhe të mbështetjes që pritet t’u ofrohet institucioneve shqiptare në fushat e antikorrupsionit, luftës kundër pastrimit të parave dhe forcimit të mekanizmave të rikuperimit dhe menaxhimit të aseteve.

Diskutimet në panele u fokusuan në aspektet kyçe të përpjekjeve të Shqipërisë për forcimin e kuadrit antikorrupsion dhe të luftës kundër pastrimit të parave. Shkëmbimet u përqendruan në kalimin nga instrumente të veçuara të integritetit drejt sistemeve më koherente dhe gjithëpërfshirëse të integritetit, si dhe në zhvillimet e fundit dhe mësimet e nxjerra nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në fushën e rikuperimit, menaxhimit dhe ripërdorimit social të aseteve të konfiskuara me origjinë kriminale. Diskutimet theksuan gjithashtu standardet në zhvillim kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe implikimet e tyre në nivel kombëtar, me fokus të veçantë te mbikëqyrja e bazuar në risk e bizneseve dhe profesioneve jofinanciare, si dhe te praktikat e mira në këtë fushë.

Pjesëmarrja e vazhdueshme e Kontrollit të Lartë të Shtetit në aktivitete të tilla, që synojnë promovimin e forcimit të mekanizmave kundër korrupsionit, dëshmon angazhimin e institucionit për të kontribuar aktivisht në përmirësimin e qeverisjes së mirë, rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies publike, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.


E-mail zyrtar