Në datat 29-30 maj 2025, në Prishtinë u zhvillua workshop-i rajonal me temë “Auditimet e Teknologjisë së Informacionit – Zhvillimet dhe Sfidat”, organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës (KNAO). Ky aktivitet kishte për qëllim shkëmbimin e njohurive, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit dhe trajtimin e sfidave aktuale të auditimit të TI-së në sektorin publik.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit të rajonit dhe më gjerë, përfshirë Poloninë, Portugalinë, Estoninë, Turqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe përfaqësues nga organizata ndërkombëtare si INTOSAI Development Initiative (IDI).
Gjatë workshop-it, pjesëmarrësit ndanë praktikat më të mira në auditimet e TI-së, zhvillimet në përdorimin e inteligjencës artificiale në auditim, si dhe strategjitë për përballimin e kërcënimeve kibernetike në administratën publike. Aktiviteti u karakterizua nga diskutime interaktive dhe shkëmbim përvojash që shërbejnë si burim frymëzimi për forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e auditimit të TI-së.
Pjesëmarrësit theksuan sfidat që sjell transformimi dixhital, për të cilat kërkohet një qasje e koordinuar që mbështet shkëmbimin e njohurive dhe kapacitetet njerëzore. U vlerësua gjithashtu kontributi i çdo institucioni në forcimin e praktikave të auditimit dhe rëndësinë e qëndrimit të përbashkët përballë rreziqeve në rritje të sigurisë kibernetike.
Ky workshop shënon një tjetër hap të rëndësishëm në angazhimin e KLSH për bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe për forcimin e rolit të auditimit të TI-së në sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike.
Në këtë aktivitet, KLSH u përfaqësua nga audituesit znj. Elira Cukalla dhe znj. Rovena Deda.