Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë (SNAO) organizoi në Stamboll, nga data 2 deri më 5 dhjetor 2025, workshop-in ndërkombëtar “EUROSAI Development Activities Project launch and Audit Impact Workshop”, një aktivitet i rëndësishëm që shënoi nisjen zyrtare të projektit të ri zhvillimor të EUROSAI-t. Në këtë veprimtari KLSH u përfaqësua nga znj. Xhesila Nano, Drejtor i Drejtorisë së Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Valdete Berisha, Kryeauditues në Departamentin e Auditimit të Buxhetit të Shtetit dhe znj. Xhuljeta Çelaj, Kryeauditues në Departamentin e Auditimit të Performancës. Në workshop morën pjesë gjithashtu përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Turqisë, Kazakistanit, Bosnjë – Hercegovinës, Ukrainës, Moldavisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Gjeorgjisë.
Gjatë katër ditëve të punës, workshopi u fokusua në temat qendrore të ciklit të auditimit, duke trajtuar të gjithë procesin nga planifikimi deri te raportimi, komunikimi i rezultateve dhe menaxhimi i cilësisë. Pjesëmarrësit u njohën me objektivat e projektit EUROSAI Development Activities (EDA), pritshmëritë për rezultatet e përbashkëta dhe mënyrat e koordinimit brenda rrjetit EUROSAI, në drejtimin teknik të SNAO-s. Në vijim, sesionet e punës sollën një shkëmbim të gjerë idesh dhe përvojash mbi faktorët që ndikojnë në suksesin dhe ndikimin e një auditimi. U theksua rëndësia e planifikimit të saktë, analizës së thelluar të problemit dhe përcaktimit të qartë të objektivave dhe kritereve të auditimit. Përfaqësuesit e KLSH-së kontribuan me praktikat dhe qasjet e tyre në auditimet e performancës, financiare dhe të përputhshmërisë dhe në përmirësimin e cilësisë së auditimeve, duke pasuruar diskutimet teknike të workshop-it.
Gjithashtu, në sesione u trajtua gjerësisht roli i komunikimit dhe raportimit strategjik në rritjen e ndikimit të auditimit. U nënvizua se gjetjet e auditimit marrin vlerë të plotë vetëm përmes komunikimit të qartë dhe përdorimit efektiv nga institucionet dhe publiku. Në ditën e fundit, pjesëmarrësit u fokusuan në menaxhimin e cilësisë dhe zhvillimin e hapave të mëtejshëm për hartimin e Planit të Projektit EDA, një dokument që do të udhëheqë fazën e implementimit dhe aktivitetet e përbashkëta të EUROSAI-t për vitet në vijim.
Pjesëmarrja e KLSH-së në këtë aktivitet forcon angazhimin e institucionit për të ndjekur standardet dhe praktikat më bashkëkohore të auditimit publik, për të rritur cilësinë dhe ndikimin e auditimeve dhe për të kontribuar në zhvillimin profesional të rrjetit EUROSAI. Workshop-i, i organizuar nga SNAO, ofroi një platformë të vlefshme bashkëpunimi mes institucioneve partnere dhe një mundësi të vlefshme për shkëmbim njohurish dhe përvojash në shërbim të transparencës dhe llogaridhënies publike.