Banner

Me integritetin në fokus, KLSH merr pjesë në workshopin e moderimit të IntoSAINT

Kryefaqja » Uncategorized » Me integritetin në fokus, KLSH merr pjesë në workshopin e moderimit të IntoSAINT
Kryetari

Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në workshopin mbi trajnimin e moderatorëve për instrumentin e vetëvlerësimit të integritetit IntoSAINT, i zhvilluar në Bukuresht, Rumani, nga data 7 deri më 10 tetor 2025. Ky trajnim mblodhi së bashku 22 përfaqësues nga 12 shtete anëtare të EUROSAI-t, ku KLSH u përfaqësua nga znj. Ermira Hoxha, Drejtor i Burimeve Njerëzore dhe znj. Xhesila Nano, Drejtor i Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, në një program intensiv me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve për moderimin e vetëvlerësimit të integritetit institucional sipas metodologjisë IntoSAINT. Aktiviteti u përshëndet nga z. Matanyahu Englman, President i EUROSAI-t dhe znj. Mirela Călugăreanu, Presidente e Gjykatës së Llogarive të Rumanisë.

Trajnimi ishte i pari në formatin e përditësuar dhe të digjitalizuar të IntoSAINT dhe u udhëhoq nga tre trajnues me eksperiencë nga Institucionet Supreme të Auditimit të Norvegjisë dhe Hollandës. Pjesëmarrësit u angazhuan në një kombinim të teorisë dhe praktikës, përmes simulimeve dhe ushtrimeve konkrete, duke përfituar njohuri të thelluara mbi metodologjinë e IntoSAINT dhe zbatimin e saj në vetëvlerësimet institucionale të integritetit. Gjithashtu, ata zhvilluan aftësitë për moderimin e procesit të vetëvlerësimit duke u përqendruar në identifikimin e pikave të dobëta, kontrollit të çështjeve që lidhen me integritetin, si dhe përdorimin e mjeteve praktike dhe strategjive të planifikimit për një proces të suksesshëm vetëvlerësimi.

Në vijim të trajnimit, pjesëmarrësit do të ndjekin një fazë të mëtejshme të kualifikimit, përmes përvetësimit të platformës “Questback”, e cila është thelbësore për të qenë të certifikuar dhe të aftë për të udhëhequr në mënyrë të pavarur proceset e vetëvlerësimit IntoSAINT.

Si pjesë aktive në iniciativa të tilla ndërkombëtare, KLSH vazhdon të përforcojë angazhimin e saj për të mbështetur etikën dhe integritetin në institucion, duke ndjekur praktikat më të mira dhe duke zhvilluar kapacitetet e brendshme për të siguruar zbatimin e standardeve të qeverisjes së mirë.

 


E-mail zyrtar