Më datë 17 Shtator 2025, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe përfaqësues të KLSH-së pritën në takim delegacionin e Parlamentit Europian, përkatësisht Komitetin e Kontrollit Buxhetor në kuadër të misionit të tyre në Shqipëri dhe Malin e Zi. Gjatë takimit u diskutua rëndësia e institucioneve të pavarura të auditimit të jashtëm si Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin e fondeve të ofruara nga Bashkimi Europian në fusha të ndryshme të ekonomisë, ku u theksua në mënyrë të veçantë rëndësia dhe vlerësimi për bashkëpunimin që KLSH ka me institucionet në kuadër të arritjes së objektivave të përbashkët.
Gjithashtu, përfaqësuesit e Komitetit të Kontrollit Buxhetor vlerësuan punën audituese të KLSH-së në mbikëqyrjen e përdorimit të drejtë të fondeve buxhetore dhe atyre europiane, si faktor me rëndësi të veçantë në hapat drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Takimi u përmbyll me gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm në kuadër të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve dhe sigurisë së përdorimit të drejtë të fondeve europiane.
