Më 21 janar 2026, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, i shoqëruar nga një delegacion përfaqësuesish të KLSH-së, zhvilloi një vizitë zyrtare pune pranë Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA) në Luksemburg.
Në kuadër të kësaj vizite u zhvilluan disa takime zyrtare, ndër të cilat një takim i posaçëm me Presidentin e ECA-s, z. Tony Murphy, si dhe takime me anëtarë të Dhomës III. Gjatë diskutimeve u trajtuan çështje që lidhen me metodologjitë bashkëkohore të auditimit, programet e punës për vitin 2026, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me ECA-n, veçanërisht në kuadër të programeve të praktikës profesionale, ku KLSH ka pasur deri më tani 22 përfaqësues pjesëmarrës, Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, u shpreh se forcimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi do të kontribuojë në përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve audituese dhe në përvetësimin e praktikave më të mira evropiane.
Diskutimet vijuan me prezantime nga departamente të ndryshme të ECA-s, të cilat u fokusuan në fusha me interes të përbashkët, strategjitë e Inteligjencës Artificiale, si dhe në planifikimin strategjik afatmesëm dhe afatgjatë.
