Banner

Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, zhvilloi takime të hapura me studentë dhe pedagogë në kuadër të përvjetorit të themelimit të institucionit

Kryefaqja » Njoftime » Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, zhvilloi takime të hapura me studentë dhe pedagogë në kuadër të përvjetorit të themelimit të institucionit
Kryetari

Në kuadër të aktivitetit “Ditët e Hapura” dhe përvjetorit të themelimit të institucionit, Kryetari dhe stafi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, në datat 20-22 maj 2026 mirëpritën në takime të hapura studentë dhe pedagogë të fakulteteve të Drejtësisë, Ekonomisë dhe Inxhinierisë së Ndërtimit.

Në takimin me studentët e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës morën pjesë edhe Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, si dhe Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, znj. Dorina Hoxha. Gjatë bashkëbisedimit me studentët, z. Shehu u ndal te rrugëtimi institucional, përgjegjësitë dhe misioni që KLSH ka mbajtur ndër vite në shërbim të interesit publik, ligjshmërisë, transparencës dhe forcimit të llogaridhënies në administrimin e financave publike.

Kryetari i KLSH-së vlerësoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve publike, sistemit të drejtësisë dhe botës akademike, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës. Në vijim të takimit, z. Shehu dhe z. Rusi iu përgjigjën interesimit të studentëve lidhur me veprimtarinë institucionale, sfidat profesionale, si dhe mundësitë që institucionet ofrojnë për praktika profesionale dhe punësim pas diplomimit.

Në ditën e dytë, takimi u zhvillua me studentët e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, z. Ervin Koçi, si dhe Zv/Dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Etleva Bajrami. Diskutimet u fokusuan në rolin kushtetues dhe veprimtarinë e KLSH-së, si dhe në rëndësinë e transparencës dhe kontrollit të financave publike.

Takimet e hapura në KLSH vijuan me studentë dhe pedagogë të Universitetit Politeknik të Tiranës, si dhe me ekspertë të fushës së inxhinierisë dhe arkitekturës. Pjesë e tryezës ishte edhe z. Artan Shkreli, si dhe përfaqësues nga Shoqata e Arkitektëve.

Në takim u diskutua mbi problematikat kryesore të hasura në veprat e infrastrukturës publike, si dhe mbi bashkëpunimin ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Universitetit Politeknik në funksion të praktikave mësimore për studentët dhe trajtimit të çështjeve me interes të përbashkët.

Në përmbyllje, z. Shehu theksoi se Kontrolli i Lartë i Shtetit e konsideron mbështetjen e studentëve dhe ekselencës akademike jo vetëm si një përgjegjësi institucionale, por edhe si një investim të rëndësishëm për të ardhmen.

 

 

 

 

 


E-mail zyrtar