Në vijim të aktiviteteve zyrtare që shënojnë 100-vjetorin e themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, priti në një takim të veçantë përfaqësuesin e Presidencës së Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit – (INTOSAI), z. Augusto Nardes. Z. Nardes gjithashtu mban detyrën e Ministrit në Gjykatën Federale të Llogarive të Brazilit (TCU).
Në takimin mes z. Shehu dhe z. Nardes u ndanë vizione dhe përvoja mbi sfidat dhe rolin gjithnjë në rritje të institucioneve supreme të auditimit në përballimin e çështjeve globale, si: ndryshimet klimatike, qeverisja digjitale dhe menaxhimi i qëndrueshëm i financave publike.
Një çështje e rëndësishme e diskutimeve ishte nisma globale “Climate Scanner”, e mbështetur nga INTOSAI, ku Shqipëria merr pjesë në mënyrë aktive. U diskutuan përgatitjet për Samitin e Klimës 2025, i cili do të mbahet në Rio de Zhaneiro më 14-15 gusht dhe që synon të kthehet në një moment kyç për auditimin global të çështjeve mjedisore.
Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, vlerësoi rolin aktiv të z. Nardes në drejtimin e nismave globale të INTOSAI-t dhe përkushtimin e tij për të orientuar auditimin publik drejt prioriteteve strategjike ndërkombëtare. Ai theksoi se pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë të INTOSAI-t në aktivitetet e jubileut të KLSH-së është një dëshmi e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm të institucionit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Nga ana e tij, z. Nardes vlerësoi angazhimin e KLSH-së në agjendat globale të auditimit publik dhe e cilësoi 100-vjetorin e institucionit si një mundësi të shkëlqyer për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh.
Në takim u ra dakord për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet KLSH-së dhe Gjykatës Federale të Llogarive të Brazilit, përmes projekteve të përbashkëta në fushën e trajnimit, shkëmbimit të përvojave dhe promovimit të inovacionit në auditim.
