Në kuadër të vizitave të nivelit të lartë që shënojnë 100-vjetorin e themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Kryetari i institucionit, z. Arben Shehu zhvilloi më 19 maj 2025 një takim me Presidentin e Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), z. Matanyahu Englman, i cili njëherazi ushtron detyrën e Kontrollorit dhe Avokatit të Popullit të Shtetit të Izraelit.
Ky takim përbën një moment të veçantë për thellimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve në frymën e partneritetit dhe dialogut profesional që karakterizon Organizatën Europiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).
Në qendër të diskutimeve ishin çështje të rëndësishme si rritja e transparencës dhe llogaridhënies publike përmes metodave moderne të auditimit, zhvillimeve teknologjike dhe qeverisjes dixhitale. Po ashtu u vlerësua roli i EUROSAI-t si një platformë bashkëpunimi për nxitjen e inovacionit auditues dhe ndarjen e eksperiencave të suksesshme ndërmjet institucioneve anëtare.
Kryetari i KLSH-së, z. Shehu, vlerësoi kontributin e z. Englman në drejtimin e EUROSAI-t, si dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e kapaciteteve të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI) dhe promovimin e integritetit në auditim.
Z.Shehu rikonfirmoi përkushtimin e KLSH-së për të zgjeruar bashkëpunimin me institucionet homologe të auditimit.
Nga ana e tij, z. Englman falënderoi për mikpritjen dhe theksoi rolin aktiv që KLSH luan në promovimin e standardeve të avancuara të auditimit në rajon. Ai rikonfirmoi gjithashtu gatishmërinë e EUROSAI-t për të mbështetur nisma të përbashkëta që synojnë rritjen e efektivitetit të institucioneve të kontrollit të jashtëm në Europë.
Takimi dëshmoi vullnetin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të promovuar praktikat më të mira në fushën e auditimit publik, në kuadër të standardeve europiane dhe ndërkombëtare.
