Banner

Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim me Kryetarin e Dhomës së Llogarive të Republikës së Azerbajxhanit, z. Vugar Gulmammadov

Kryefaqja » Njoftime » Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim me Kryetarin e Dhomës së Llogarive të Republikës së Azerbajxhanit, z. Vugar Gulmammadov
Kryetari

Në kuadër të vizitave zyrtare të delegacioneve të huaja të pranishme në kremtimin e 100-vjetorit të themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, priti në një takim bilateral Kryetarin e Dhomës së Llogarive të Republikës së Azerbajxhanit, z. Vugar Gulmammadov.

Takimi përbën një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit, me fokus në zhvillimin institucional, auditimin e politikave publike dhe shkëmbimin e praktikave të avancuara në kontrollin financiar dhe ligjor.

Në këtë kuadër, z. Shehu dhe z. Gulmammadov nënshkruan një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU), e cila synon të forcojë bashkëpunimin nëpërmjet: shkëmbimit të përvojave profesionale dhe njohurive në fusha të ndryshme të auditimit, organizimit të vizitave studimore dhe trajnimeve të përbashkëta për audituesit dhe bashkëpunimit në kuadër të iniciativave të INTOSAI-t, EUROSAI-t dhe platformave të tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, në vijim të këtij bashkëpunimi, u ra dakord për kryerjen e auditimeve në fushën e hidrokarbureve.

Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, vuri në dukje rëndësinë e partneriteteve ndërinstitucionale në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe përmirësimit të shërbimeve publike për qytetarët. Nga ana e tij, z. Gulmammadov përgëzoi z. Shehu për 100-vjetorin e institucionit dhe shprehu vullnetin për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm mes dy institucioneve.

Ky takim dhe nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit shënojnë një hap të rëndësishëm në strategjinë e ndërkombëtarizimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe angazhimin e institucionit për të ndërtuar ura të qëndrueshme me institucionet homologe, duke promovuar standarde të përparuara në auditimin publik dhe qeverisjen financiare.


E-mail zyrtar