Në datë 23 Prill 2026, u organizua Konferenca për Dialog Kombëtar: Forcimi i ndërveprimit institucional për mbikëqyrje efektive, nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në kontekstin e bashkëpunimit me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare, në kuadër të projektit MATRA “Për forcimin e mbikëqyrjes publike dhe koordinimit ndërinstitucional” me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Tiranë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, falënderoi në mënyrë të veçantë Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin z. Reinout Vos, për mbështetjen dhe vlerësimin e treguar mbi punën dhe kontributin e deritanishëm të KLSH-së, veçanërisht në forcimin e rolit të institucionit përmes bashkëpunimeve me institucione homologe dhe organizata ndërkombëtare të auditimit. Gjithashtu, z. Shehu, në fjalën e tij theksoi se Kontrolli i Lartë i Shtetit mbetet i angazhuar të kontribuojë me profesionalizëm, pavarësi dhe frymë bashkëpunimi në çdo nismë që synon rritjen e transparencës, përdorimin me përgjegjësi të fondeve publike si dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies, në funksion të rritjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike dhe përmirësimit të mirëqeverisjes në vend.
Konferenca trajtoi ndër të tjera rolin e aktorëve shtetërorë dhe profesioneve të lira për të nxitur një qasje të integruar dhe bashkëpunuese drejt ndërveprimit mes tyre për promovimin e transparencës, integritetit dhe një sistemi më efektiv të mbikëqyrjes në vend.