Më 21 maj 2026, në Qendrën e Konferencave të Selisë së NATO-s në Bruksel, Belgjikë, u zhvillua Takimi Vjetor ndërmjet Bordit Ndërkombëtar të Audituesve për NATO-n (IBAN) dhe Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve anëtare të NATO-s. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe dy përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), duke konfirmuar angazhimin e institucionit për forcimin e bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e auditimit publik dhe atij të mbrojtjes.
Gjatë sesioneve të punës u prezantuan raportet vjetore të aktivitetit të IBAN, auditime të performancës dhe raporte speciale mbi administrimin financiar dhe menaxhimin e burimeve në strukturat e NATO-s. Një vëmendje e veçantë iu kushtua auditimit të fondeve publike në situata krize dhe konflikti, si dhe rolit të institucioneve supreme të auditimit në garantimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies.
Në panelin përmbyllës, pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat e ruajtjes së konfidencialitetit në auditimet e mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e balancimit ndërmjet kërkesave të sigurisë dhe detyrimit për transparencë ndaj publikut.
Takimi u mbyll me theksimin e nevojës për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet institucioneve supreme të auditimit në funksion të forcimit të transparencës, integritetit dhe përdorimit efikas të fondeve publik.