Kryetari i KLSH-së z. Arben Shehu dhe Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, znj. Vlora Spanca, së bashku me përfaqësues të të dy institucioneve, zhvilluan në datë 10 prill në qytetin e Vlorës, një vizitë kulturore duke shënjuar hapjen e aktiviteteve të planifikuara për kremtimin e 100-vjetorit të krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Muzeu i Pavarësisë në Vlorë, si një nga vendet më të rëndësishme historike të Shqipërisë, ku u mbajt shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, është një dëshmi e luftës për liri dhe pavarësi, duke simbolizuar një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin.
Takimi mes përfaqesuesve të të dy institucioneve supreme të auditimit, theksoi rëndësinë e kontrollit të jashtëm të financave publike, si një shtyllë thelbësore e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies.
Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e trashëgimisë historike, por edhe përgjegjësinë e institucioneve për të ruajtur dhe avancuar më tej vlerat e profesionalizmit dhe integritetit në funksion të interesit publik.
Në përfundim të aktivitetit, përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, përgëzuan Kontrollin e Lartë të Shtetit për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe shprehën vlerësimin e tyre për rolin e institucionit ndër vite, duke uruar suksese të mëtejshme në të gjitha aktivitetet pasuese që do të zhvillohen për këtë kremtim.
