Në kuadër të rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit me grupet e interesit, ndër të cilat përfshihen edhe organizatat e shoqërisë civile, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka nënshkruar së fundmi dy marrëveshje bashkëpunimi.
Në datë 27.01.2026, Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, z. Sotiraq Hroni, duke rikonfirmuar vijimin e angazhimit me IDM. Kjo marrëveshje fokusohet në interesin publik për rritjen e transparencës, forcimin e integritetit, luftën dhe parandalimin e korrupsionit, si dhe rritjen e llogaridhënies në menaxhimin e financave publike, duke theksuar nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë në funksion të një qeverisje të mirë dhe efektive nga institucionet publike.
Marrëveshja e dytë e bashkëpunimit u nënshkrua më 29.01.2026 me organizatën “Faktoje.al”, përfaqësuar nga Drejtuesja Ekzekutive, znj. Klodiana Kapo. Kjo marrëveshje synon bashkëpunimin ndërmjet KLSH-së dhe organizatës “Faktoje” në kuadër të projektit “Truths Beyond Numbers”, me mbështetjen e programit MATRA të Ambasadës së Holandës në Tiranë.