Banner

KLSH – NAO UK, bashkëpunim mbi zhvillimin e komunikimit strategjik

Kryefaqja » Uncategorized » KLSH – NAO UK, bashkëpunim mbi zhvillimin e komunikimit strategjik
Kryetari

Përmbyllet me sukses cikli i mbështetjes teknike nga Zyra Kombëtare e Auditimit në Britaninë e Madhe (National audit Office – NAO UK) mbi zhvillimin e komunikimit strategjik dhe hartimin e raporteve të auditimit.

Në datat 25 dhe 26 shkurt 2026, një ekip i NAO UK, i përbërë nga Clare Harkey, Drejtore e Marrëdhënieve me Shtypin, Lisa Dewsbury, Menaxhere e Lartë e Komunikimit dhe Natalie Law, Audituese e Lartë, zhvilloi takimet përmbyllëse me stafin e Drejtorisë së Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë dhe auditues nga disa departamente në KLSH, duke konsoliduar kështu dhe bashkëpunimin e vendosur mes dy Institucioneve Supreme të Auditimit.

Në këto takime pune u diskutuan udhëzime praktike dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e procesit të hartimit të raporteve të auditimit, në bashkëpunim me ekipet hartuese dhe auditues të tjerë. Gjithashtu, u zhvilluan sesione të përbashkëta mbi përgatitjen e përmbledhjeve ekzekutive të raporteve, identifikimin dhe formulimin e mesazheve kryesore, si dhe përcaktimin e qasjeve praktike që sigurojnë qartësi, koherencë dhe kuptueshmëri për lexuesit dhe audienca më të gjera.

Në fushën e komunikimit, ekspertet e NAO UK u ndalën në hartimin e një plani konkret komunikimi për të rritur ndikimin e raporteve të auditimit tek audiencat e synuara, duke u fokusuar në përcaktimin e mesazheve kyçe, përdorimin e një gjuhe të qartë dhe të kuptueshme, përputhjen me objektivat strategjike të KLSH-së, qasjen proaktive dhe segmentimin e grupeve të interesit.

Bashkëpunimi ndërmjet KLSH dhe NAO UK përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në fushën e komunikimit strategjik dhe transparencës publike. Duke u mbështetur në përvojën shumëvjeçare të NAO UK, ky partneritet synon të modernizojë dhe strukturojë qasjen e KLSH-së ndaj komunikimit me publikun dhe palët e interesit. Ky bashkëpunim u mundësua falë mbështetjes së Westminster Foundation for Democracy (WFD).

                   


E-mail zyrtar