Stamboll 2 – 6 qershor 2025
Në datat 2-6 qershor 2025 u zhvillua në Stamboll workshopi i avancuar mbi Kornizën e Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI PMF), i organizuar nga INTOSAI Development Initiative (IDI). Ky aktivitet kishte si synim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të SAI PMF në EUROSAI duke siguruar që stafi i SAI – ve të ketë njohuri të thella mbi SAI PMF, me qëllim kryerjen e procesit të matjes së performancës së institucionit nëpërmjet metodologjisë së zhvilluar nga IDI.
Ditën e parë, aktiviteti filloi me prezantime mbi parimet bazë të procesit të SAI PMF. Prezantimet ishin të përqëndruara në përshkrimin e kornizës së matjes së performancës dhe procedurën e realizimit të një vlerësimi të performancës së institucionit. Fokusi kryesor ishte prezantimi i metodologjisë së vlerësimit të kritereve, rezultati i të cilave agregohet në nivel dimensioni dhe treguesi duke përdorur tabelat e konvertimit në dokumentin e PMF-së.
Ditën e dytë, u zhvilluan prezantime mbi kryerjen e një analize të thelluar të shkaqeve, duke u bazuar në të gjitha aspektet që ndikojnë në performancën e institucionit, si dhe mbi vlerësimin e integruar. Pjesëmarrësit u angazhuan në një rast konkret të zhvillimit të një analize të thelluar të shkaqeve, duke përdorur parimet e “5 – Pse-ve” dhe diagramin Fishbone. Më pas, ata prezantuan dhe interpretuan rezultatet e tyre.
Dita e tretë filloi me prezantime nga pjesëmarrësit mbi një ushtrim praktik lidhur me shkrimin e raportit të performancës. Në vazhdim, trajnerët prezantuan konceptet e menaxhimit të cilësisë dhe vlerësimit të pavarur. Pjesëmarrësit u angazhuan në një ushtrim mbi analizimin e avantazheve dhe disavantazheve të kryerjes së vlerësimit të performancës nga vetë stafi i SAI-ve; dhe vendimamrrjen mbi publikimin ose jo të rezultateve të SAI PMF.
Ditën e katërt, u zhvilluan prezantime mbi metodologjinë për ripërsëritjen e vlerësimit të performancës, si dhe për mënyrën se si SAI PMF mund të sigurojë monitorimin e ndryshimit të performancës së institucionit. Në vijim SAI – të pjesëmarrëse, të cilat kishin zhvilluar vlerësimin e përfomancës në institucionet e tyre, ndanë eksperiencën e tyre mbi zhvillimin e këtij procesi, sfidat dhe përfitimet e SAI PMF.
Në ditën e pestë dhe të fundit u zhvilluan prezantime në lidhje me aplikimin e metodologjisë së SAI PMF, si dhe përmirësimet e viteve të fundit në kornizën e SAI PMF. Aktiviteti u përmbyll me përmbledhjen e koncepteve kryesore të prezantuara dhe diskutime mbi hapat e ardhshëm. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga znj. Nexhmije Kuka dhe znj. Ana Xhabrahimi, audituese në Departamentin e Metodologjisë, Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit Profesional.