Bukuresht, 27-28 nëntor 2025
Projekt grupi i EUROSAI-t për “Data Envelopment Analysis (DEA) dhe metodat e tjera të krahasimit” zhvilloi në datat 27-28 nëntor në Bukuresht, workshop-in VIII të tij. DEA është një projekt i EUROSAI-t me bashkëdrejtues Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Norvegjisë në kuadër të Objektivit Strategjik nr. 2 të EUROSAI-t “Zhvillimi i Kapaciteteve Institucionale”.
Metoda DEA është një mjet që përdoret në kryerjen e auditimeve të performancës për të vlerësuar eficiencën e institucioneve publike në fusha të ndryshme të veprimtarisë. Workshop-i synonte që të siguronte jo vetëm informacion teorik, por edhe aplikim në praktikë, të programeve specifike për vlerësimin e eficiencës.
Gjatë dy ditëve u prezantuan rezultatet e auditimeve të kryera nga disa SAI në fusha të arsimit dhe të mjekësisë duke përdorur metodën DEA në vlerësimin e performancës së institucioneve. Gjithashtu, pjesëmarrësit praktikuan përdorimin e programeve specifike në analizimin e të dhënave të përshtatura për qëllime trajnimi.
Në aktivitetin ku merrnin pjesë përfaqësues nga SAI të ndryshme të Europës, KLSH u përfaqësua nga znj. Ermira Hoxha, drejtore e Burimeve Njerëzore, znj. Arminda Bushi, kryeaudituese në Departamentin e Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore dhe Pronës Publike dhe znj. Laura Lila, këshilltare.