Në datat 23–25 qershor, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) mori pjesë në workshop-in ndërkombëtar mbi Menaxhimin e Cilësisë në Auditim, të zhvilluar në Stamboll dhe të organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të 12 Institucioneve Supreme të Auditimit, të cilët prezantuan përvojat e tyre lidhur me zbatimin e ISSAI 140, duke trajtuar në veçanti mënyrën e implementimit të standardit në institucionet përkatëse, praktikat që kanë rezultuar të suksesshme, si dhe sfidat e hasura gjatë këtij procesi.
Përgjatë tri ditëve të workshop-it, krahas prezantimeve të vendeve pjesëmarrëse, u zhvilluan diskutime profesionale mbi qasjet dhe praktikat më të mira për zbatimin efektiv të ISSAI 140, me fokus në forcimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë në Institucionet Supreme të Auditimit. Gjithashtu, pjesëmarrësit shkëmbyen ide dhe identifikuan tema prioritare që do të trajtohen në workshop-et e ardhshme, me synim thellimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojave ndërmjet institucioneve.
KLSH u përfaqësua në këtë workshop nga znj. Arminda Bushi, Kryeaudituese, dhe znj. Laura Lila, Drejtor i Drejtorisë së Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë.