Në datë 18 korrik 2025 u organizua në ambientet e “Libraria Tirana Times” në Tiranë tryeza e rrumbullakët me temë “Korrupsioni i nivelit të lartë në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, ku morën pjesë përfaqësues të medias dhe shoqatave të ndryshme në sektorin e shëndetësisë. Në këtë takim, znj. Eriselda Ndreca prezantoi gjetjet kryesore të raportit me temë “Analiza gjithëpërfshirëse të korrupsionit të nivelit të lartë në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”.
Ky raport, i përgatitur nga shoqata “Together for Life” analizon praktikat korruptive të identifikuara nga media me karakter investigativ, si dhe në raportet e institucioneve të pavarura me funksion kontrolli dhe mbikëqyrjeje, ku ndër to kanë qenë edhe raportet e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Znj. Ndreca, ndër të tjera, theksoi rolin e KLSH-së në luftën ndaj korrupsionit në sektorin e shëndetësisë dhe jo vetëm.
KLSH u përfaqësua në këtë takim nga z. Aulent Guri, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës. Në fjalën e tij, z. Guri bëri një përmbledhje të shkurtër të raporteve kryesore të auditimit të KLSH-së me fokus në korrupsionin në sektorin e shëndetësisë, si dhe në cilësinë e shërbimeve që strukturat shëndetësore duhet të garantojnë për qytetarët. Është pranuar gjerësisht se korrupsioni në sektorin e shëndetësisë është një ndër shkaqet kryesore të cilësisë jo të mirë të shërbimeve shëndetësore, ndaj edhe KLSH në auditimet e saj të përputhshmërisë, por edhe të performancës, ka realizuar një sërë auditimesh që kanë identifikuar jo vetëm abuzime financiare, por mbi të gjitha kanë cenuar efektivitetin e shërbimeve shëndetësore që qytetarët shqiptarë duhet të marrin.
Takimi vijoi me diskutime, pyetje dhe sugjerime nga të gjithë pjesëmarrësit mbi situatën aktuale si dhe nevojat për përmirësim. Në përfundim të këtij takimi, pjesëmarrësit sollën në vëmendje rëndësinë e shtimit të bashkëpunimit midis institucioneve publike dhe veçanërisht KLSH-së dhe grupeve të interesit, ekspertëve apo edhe shoqatave në sektorin e shëndetësisë.