Në kuadër të iniciativës së EUROSAI WGEA (Grupi i Punës i EUROSAI për Auditimet e Mjedisit), u zhvillua në datën 4 Dhjetor 2025 në Varshavë takimi fillestar për bashkëpunimin ndërkombëtar për auditimin me temë “Përshtatja e menaxhimit të pyjeve ndaj ndryshimeve klimatike”.
Nevoja në rritje për të mbrojtur pyjet dhe për të ndërmarrë masa të përshtatshme ndaj ndryshimeve klimatike, roli i institucioneve të larta të auditimit në vlerësimin e integritetit të veprimeve qeveritare dhe në mbështetjen e tranzicionit të ekonomive kombëtare drejt zhvillimit të qëndrueshëm është me rëndësi thelbësore.
Përgjatë takimit, u prezantua një material nga Prof. Bogdan Jaroszewicz i Universitetit të Varshavës, për përshtatjen e menaxhimit të pyjeve nga impakti i ndryshimeve klimatike si dhe u prezantua edhe një auditim i realizuar nga SAI i Polonisë (i cili mban edhe drejtimit EUROSAI WGEA) me temë “Përshtatja e menaxhimit pyjor të Pyjeve Shtetërorë ndaj ndryshimeve klimatike”.
Përgjatë takimit secili nga SAI-t pjesëmarrës paraqiti shkurtimisht të dhëna mbi funksionimin dhe strukturat e menaxhimit të pyjeve në vendet përkatëse.
Krahas SAI-ve të Bullgarisë, Kroacisë, Letonisë, Lituanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë, të cilët kanë shprehur interesin për t’ju bashkuar kësaj iniciative, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit konfirmoi pjesëmarrjen në këtë angazhim ndërkombëtar duke konsideruar rëndësinë e kësaj teme.
Në këtë aktivitet ku merrnin pjesë përfaqësues nga SAI të ndryshëm të Evropës, KLSH u përfaqësua nga z. Agron Halili, Drejtor në Departamentin e Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore dhe Pronës Publike, z. Petrit Imeraj dhe z. Shkëlzen Hoxha, Auditues pranë të njëjtit Departament.