Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në takimin e dytë rajonal të auditimit të përbashkët me temë “Fuqizimi i grave në pozita drejtuese dhe vendimmarrëse”, i zhvilluar më datat 2 – 3 Prill 2026 në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Shkup. Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore, në kuadër të nismave për forcimin e qeverisjes demokratike dhe avancimin e barazisë gjinore.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve supreme të auditimit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, si dhe përfaqësues të UN Women, duke krijuar një platformë të rëndësishme bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash. Delegacioni i KLSH u përfaqësua nga audituesit të Departamentit të Auditimit të Performancës pjesë e grupit të auditimit që po zhvillon këtë auditim, të cilët prezantuan çështjet dhe problematikat kryesore paraprake të këtij auditimi të përbashkët.
Gjatë punimeve dyditore, pjesëmarrësit diskutuan rezultatet paraprake të auditimeve kombëtare, identifikuan çështje të përbashkëta dhe përcaktuan hapat e mëtejshëm për finalizimin e raporteve dhe hartimin e raportit të përbashkët rajonal. Diskutimet u fokusuan në analizimin e politikave dhe mekanizmave institucionalë për promovimin e përfaqësimit të grave në pozita drejtuese dhe në vendimmarrje, si dhe në identifikimin e mundësive për përmirësim.
