Banner

Forumi “Bashkë për parandalimin e kancerit të gjirit – ekzaminimi i rregullt i gjirit shpëton jetë”

Kryefaqja » Uncategorized » Forumi “Bashkë për parandalimin e kancerit të gjirit – ekzaminimi i rregullt i gjirit shpëton jetë”
Kryetari

Në vijim të fushatës së “Tetorit Rozë”, e cila këtë vit është zgjeruar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deri në muajin nëntor për shkak të rëndësisë së veçantë që mbart kjo fushatë ndërgjegjësimi, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor (OShKSh) Tiranë, organizuan më 26 nëntor 2025 forumin me temë “Bashkë për parandalimin e kancerit të gjirit – ekzaminimi i rregullt i gjirit shpëton jetë” për punonjëset e KLSH-së.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e KLSH-së. Në të morën pjesë përfaqësues nga Drejtoria Rajonale OShKSh Tiranë, Instituti i Shëndetit Publik, si dhe profesionistë të fushës mjekësore, përfshirë mjekë onkologë, gjinekologë, imazheristë.

Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të Sekretarit të Përgjithshëm të KLSH-së, znj. Valbona Gaxha, e cila falënderoi përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore për promovimin dhe kontributin e tyre ndaj kësaj teme me ndjeshmëri të lartë. Znj. Gaxha theksoi se kjo tematikë ka një rëndësi të veçantë për institucionin e KLSH-së ku 47% e stafit janë punonjëse femra. Për më tepër në thelb të punës audituese qëndron funksioni parandalues i mangësive, ku parandalimi është kryefjala edhe e kësaj fushate.

Drejtoresha e Shëndetit Publik dhe Edukimit Shëndetësor në Drejtorinë Rajonale OShKSh Tiranë, znj. Haxhire Kasaj, në fjalën e saj përshëndetëse falënderoi Kryetarin e KLSH-së, z. Arben Shehu, për gatishmërinë në organizimin e aktivitetit. Ajo theksoi se tashmë çdo muaj, gjatë gjithë vitit, do të jetë “rozë” në qytete të ndryshme të vendit.

Më pas mjekët, Dr. Naun Sinani, Dr. Ariela Malaj, Dr. Ilir Qefalia, znj. Edlira Klosi, znj. Ardita Ibraj, znj. Entela Todhe ndanë këshilla dhe dhanë informacione ndërgjegjësuese për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, rëndësinë e kontrolleve mjekësore, mënyrat e diagnostikimit dhe trajtimit, etj. Ata theksuan dhe apeluan rëndësinë e kryerjes së sa më shumë kontrolleve periodike te mjekët, duke bërë të mundur diagnostikimin në kohë, parandalimin e avancimit të sëmundjes, rritjen e jetëgjatësisë dhe uljen e rasteve fatale.

Si pjesë e këtij aktiviteti u realizua kryerja e mamografisë për një grup punonjësesh të Kontrollit të Lartë të Shtetit.


E-mail zyrtar