Banner

Bashkëpunimi KLSH – Faktoje.al, nis projekti “E vërteta përtej shifrave” për forcimin e ndikimit publik të auditimit

Kryefaqja » Uncategorized » Bashkëpunimi KLSH – Faktoje.al, nis projekti “E vërteta përtej shifrave” për forcimin e ndikimit publik të auditimit
Kryetari

Më 25 shkurt 2026, në ambientet e “Xheko Imperial” Tiranë u zhvillua tryeza e diskutimit “E vërteta përtej shifrave” (Truth Beyond Numbers), aktivitet që shënon nisjen zyrtare të projektit dyvjeçar të zbatuar nga organizata Faktoje.al, me mbështetjen e programit MATRA të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri.

Ky projekt, i cili realizohet në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe organizatës Faktoje.al, synon rritjen e ndikimit të gjetjeve të auditimit në debatin publik, duke i kthyer gjetjet e auditimit në informacione të kuptueshme dhe të dobishme për qytetarët përmes raportimit analitik dhe të advokojë për reforma në politikat publike.

Në aktivitet morën pjesë znj. Klodiana Kapo, Drejtore Ekzekutive e Faktoje.al, Sh.T.Z. Reinout Vos, Ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, deputetë nga komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ekspertë të fushës së financave publike, shoqërisë civile dhe medias.

Drejtoresha Ekzekutive e Faktoje.al, Klodiana Kapo, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për të përçuar në publik problemet, fenomenet dhe përgjegjësinë institucionale mbi gjetjet e auditimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Sh. T. Z Reinout Vos, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e këtij projekti që ka si qëllim forcimin e institucioneve, llogaridhënien dhe informimin e qytetarëve në mënyrë të thjeshtë, të kuptueshme dhe të prekshme nga ana e tyre.

Institucionet mund të prodhojnë raporte, mbikëqyrje që i përgjigjet nevojave dhe mund të identifikojnë boshllëqe dhe rekomandime në këtë çështje, por nëse këto gjetje mbeten të palexuara, të pashpjegueshme ose të paarritshme për qytetarët, fuqia transformuese është e kufizuar”, tha ambasadori Vos.

Kontrolli i Lartë i Shtetit rikonfirmoi angazhimin e tij për transparencë, bashkëpunim institucional dhe mbështetje profesionale, në respekt të plotë të pavarësisë institucionale dhe standardeve të auditimit të jashtëm, me synimin që gjetjet e auditimit të kontribuojnë në përmirësimin e politikave publike dhe forcimin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.


E-mail zyrtar