Në vijim të aktiviteteve të 100-vjetorit të themelimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) zhvilloi në datë 9 maj 2025 një leksion të hapur me studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, duke sjellë më afër rolin e institucionit në forcimin e transparencës dhe mirëqeverisjes në Shqipëri. Leksioni me temë “100 vite besueshmëri, integritet dhe shërbim ndaj qytetarëve – Kontrolli i Lartë i Shtetit si garant i transparencës dhe mirëqeverisjes në Shqipëri” u mbajt nga audituesja e lartë, znj. Miranda Misini.
Znj. Misini prezantoi rolin historik dhe aktual të KLSH-së si një nga institucionet më të hershme të shtetit shqiptar dhe theksoi misionin e tij në mbështetje të shtetit ligjor, përmes forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.
Si mikpritëse e aktivitetit, Dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Dorina Hoxha, falënderoi Kontrollin e Lartë të Shtetit për angazhimin në edukimin profesional të studentëve në këtë moment të rëndësishëm historik.
Nëpërmjet bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet e arsimit të lartë dhe organizimit të takimeve me studentët, Kontrolli i Lartë i Shtetit synon të japë një kontribut të qenësishëm në formimin e brezave të rinj të profesionistëve.
Më 20 maj 2025, KLSH shënon 100 vite nga krijimi si institucioni më i lartë i kontrollit të financave publike në vend.
