Banner

Zhvillohet vizita studimore në kuadër të projektit rajonal të UNDP-së “Smart Finance” për një Qeverisje Vendore të përgjegjshme”

Kryefaqja » Uncategorized » Zhvillohet vizita studimore në kuadër të projektit rajonal të UNDP-së “Smart Finance” për një Qeverisje Vendore të përgjegjshme”
Kryetari

Në datat 7 – 9 tetor 2026 u zhvillua në Bratisllavë, vizita studimore në kuadër të projektit rajonal të UNDP-së “Smart Finance” për një Qeverisje Vendore të përgjegjshme” ku KLSH bën pjesë, me pjesëmarrjen e mbi 50 përfaqësueve nga Sllovakia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Pjesëmarrësit u njohën me mekanizmat dhe praktikat e përdorura nga Republika e Sllovakisë për mbikëqyrjen dhe parandalimin e parregullsive, si dhe shqyrtimin e mundësive për përshtatjen dhe zbatimin e përvojave përkatëse në nivel kombëtar dhe vendor.

Disa nga tematikat e trajtuara gjatë vizitës përfshinë auditimin e performancës dhe auditimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm me fokus të veçantë në nivelin vendor dhe menaxhimin e mbetjeve bashkiake, përdorimin e të dhënave dhe mjeteve digjitale në procesin e auditimit, si dhe mbikëqyrjen dhe garantimin e integritetit në prokurimin publik.

Një pjesë e rëndësishme e vizitës iu kushtua prezantimit të aplikacionit web MuMap, një mjet inovativ i zhvilluar nga SAI i Republikës së Sllovakisë për planifikimin e auditimeve dhe vlerësimin e risqeve. Ky aplikacion mundëson përdorimin sistematik të të dhënave për identifikimin e fushave me risk dhe orientimin e burimeve të auditimit drejt atyre fushave ku nevoja për ndërhyrje është më e madhe.

Projekti kontribuon në forcimin e kapaciteteve institucionale për menaxhimin transparent, të përgjegjshëm dhe efikas të burimeve publike. Nga KLSH në këtë vizitë studimore morën pjesë audituesit Artan Vokshi dhe Artur Cengu, pjesë e Departamentit të Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore dhe Pronës Publike.


✉ E-mail zyrtar