1-4 korrik 2025
Nga data 1 deri më 4 korrik 2025, në qytetin e Hammametit në Tunizi, u zhvillua sesioni i trajnimit me fokus “Përgatitje e Shpejtë për Mentorët në ARABOSAI”. Ky aktivitet u organizua nga Iniciativa e Zhvillimit të INTOSAI-t (IDI), në bashkëpunim me Bankën Botërore, si pjesë e projektit për mbështetjen e institucioneve më të larta të auditimit të Tunizisë dhe Algjerisë për ngritjen dhe zbatimin e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë në Auditim (SoAQM), në përputhje me standardin e rishikuar ISSAI 140.
Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve për mentorët që do të ofrojnë asistencë teknike dhe metodologjike për SAI-t përkatës gjatë gjithë ciklit të ngritjes së sistemit të ri të menaxhimit të cilësisë. Pjesëmarrja e ekspertëve nga vende të ndryshme të rajonit ARABOSAI solli një dimension ndërkombëtar dhe një shkëmbim të vlefshëm përvojash.
Kontrolli i Lartë të Shtetit u përfaqësua në cilësinë e “resource person” të IDI-t nga znj. Xhuljeta Çelaj, e cila përcolli përvojën e saj praktike në zbatimin e sistemit të cilësisë duke kontribuar në ndërtimin e kapaciteteve të tyre përmes ndërhyrjeve të strukturuara dhe të qarta.
Trajnimi ishte i hartuar në shtatë sesione tematike, të cilat përfshinin të gjitha komponentët esencialë të SoAQM duke mbuluar tematikat e mëposhtme:
1. Qasjen e re në Menaxhimin e Cilësisë, duke u përqendruar në filozofinë e re të standardit ISSAI 140;
2. Objektivat e cilësisë dhe menaxhimin e riskut të cilësisë, ku u theksua rëndësia e përcaktimit të objektivave të qarta dhe parashikimit të risqeve;
3. Procesin e monitorimit dhe përmirësimit, për të siguruar përmirësim të vazhdueshëm;
4. Vlerësimin e SoAQM, si një mjet për të matur efektivitetin e sistemit;
5. Rishikimin e cilësisë së angazhimeve (EQR), që është një element kyç për sigurimin e cilësisë në nivel angazhimi auditimi;
6. Analizën e nevojave, si bazë për planifikimin e ndërhyrjeve të nevojshme;
7. Paketën SoAQM dhe hapat e mëtejshëm, që udhëzojnë zbatimin praktik në çdo institucion.
Pjesëmarrësit u angazhuan në mënyrë aktive në diskutime, ushtrime praktike dhe shkëmbim përvojash, duke mundësuar një mjedis dinamik dhe bashkëpunues. Trajnimi jo vetëm që forcoi kapacitetet individuale të mentorëve, por krijoi edhe një rrjet bashkëpunimi rajonal për zbatimin e SoAQM-së.
Kjo eksperiencë shërbeu si një bazë e fortë për angazhimet e ardhshme në kuadër të SoAQM. Bashkëpunimi mes IDI-t, Bankës Botërore dhe SAI-ve përkatëse krijon një terren të favorshëm për zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmave të menaxhimit të cilësisë në auditim. Faza pasuese do të përfshijë analizën e thelluar të nevojave, hartimin e politikave të brendshme të cilësisë dhe ngritjen e strukturave të qëndrueshme të zbatimit, ku mentorët do të kenë një rol kyç mbështetës për SAI-t e Tunizisë dhe Algjerisë.
