Në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë KLSH-OAGN u zhvillua në Vlorë në datat 15-19 shtator 2025, workshopi II mbi Sigurinë Kibernetike me temë “Hakerimi Etik”.
Me ftesë të KLSH-së, ekipit të ekspertëve norvegjezë dhe grupit të KLSH-së, u janë bashkuar këtë herë edhe përfaqësues nga SAI të tjerë homologe, si nga TCA e Turqisë, ZKA e Kosovës, SAI i Sllovenisë, SAI i Suedisë dhe SAO e Maqedonisë së Veriut.
Me rritjen e shpejtë të dixhitalizimit, institucionet publike janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike prandaj dhe fokusi i këtij workshopi, ishte testi i sigurisë që zhvillohet në mjediset e Active Directory dhe metodat e mbrojtjes. Audituesit IT duhet të jenë gjithnjë e më të kujdesshëm ndaj këtyre testeve, me qëllim verifikimin e funksionimit të masave të sigurisë në funksion të forcimit të shërbimeve dixhitale të institucioneve dhe rritjes së besimit të qytetarëve.
Workshopi trajtoi të gjitha hapat teorikë dhe praktikë të fazave të një testi sigurie si mbledhja e informacionit, skanimi dhe enumerimi, shfrytëzimi i dobësive, mbajtja e aksesit dhe raportimi e rekomandimet. Gjithashtu u ofruan sesione teorike mbi konceptet bazë dhe u përfitua përdorimi i mjeteve praktike për testimin e sigurisë në mjedise të simuluara.
Në emër të Kryetarit të KLSH-së, z. Arben Shehu, pjesëmarrësve në workshop, iu përcoll një përshëndetje e veçantë duke theksuar edhe një herë, rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në zhvillimin e mëtejshëm teknologjik dhe ngritjen e kapaciteteve të duhura, me qëllim përftimin dhe ndarjen e praktikave më të mira në këtë fushë.