Banner

Zhvillohet në Strugë takimi i drejtuesve të lartë të Institucioneve Supreme të Auditimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut mbi lidershipin dhe bashkëpunimin rajonal

Kryefaqja » Njoftime » Zhvillohet në Strugë takimi i drejtuesve të lartë të Institucioneve Supreme të Auditimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut mbi lidershipin dhe bashkëpunimin rajonal
Kryetari

Nga datat 4-6 shtator u zhvillua në Strugë takimi i drejtuesve të lartë të Institucioneve Supreme të Auditimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut organizuar nga SAI i Suedisë.

Aktiviteti kishte për qëllim të mundësonte shkëmbimin e ideve, praktikave dhe qasjeve të ndërsjella mbi lidershipin, si dhe diskutimin e çështjeve në kuadër të rritjes së bashkëpunimit rajonal.

Kryetari i KLSH-së, z. Shehu në fjalën e tij përshëndetëse shprehu falenderimet për organizimin dhe e vuri theksin ndër të tjera tek rëndësia që ka për drejtuesit në përgjithësi, ndarja e ideve dhe praktikave, jo vetëm në aspektin menaxherial dhe të drejtimit, por edhe në aspektin ndërpersonal brenda institucioneve respektive.

Nën moderimin e ekspertëve suedezë, drejtuesit e lartë të të tre SAI-ve të rajonit dhe grupet që i shoqëronin, diskutuan dhe ndanë këndvështrimet e tyre mbi qasjet, eksperiencat, sfidat dhe aftësitë në zbatimin e ndryshimeve dhe zhvillimeve të dëshiruara.

U diskutua gjithashtu gjerësisht, mbi drejtimin në institucionet përkatëse duke aplikuar kulturën e gjithëpërfshirjes, si dhe praktikave më të mira në zbatim të objektivave strategjikë institucionalë.
Drejtuesit e të tre Instucioneve Supreme të Auditimit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut diskutuan gjithashtu edhe mbi vijueshmërinë e bashkëpunimit tashmë tepër të suksesshëm ndërmjet të tre institucioneve, si dhe mbi proceset dhe mekanizmat më efikasë për arritjen e rezultateve të dëshiruara dhe objektivave institucionalë.

Në këtë aktivitet, delegacioni i KLSH-së përbëhej edhe nga znj. Valbona Gaxha, Sekretar i Përgjithshëm, znj. Marjola Llanaj, Drejtor i Përgjithshëm, z. Gjovalin Preçi, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit, z. Ryisim Xhaja, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja dhe znj. Dëshira Huqi, përgjegjës sektori për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Bashkëpunimin.


E-mail zyrtar