Banner

Zhvillohet në Kontrollin e Lartë të Shtetit takimi me grupin e vlerësuesve të NDI Instituti Kombëtar Demokratik

Kryefaqja » Njoftime » Zhvillohet në Kontrollin e Lartë të Shtetit takimi me grupin e vlerësuesve të NDI Instituti Kombëtar Demokratik
Kryetari

Sekretari i Përgjithshëm i KLSH-së, znj.Valbona Gaxha dhe Drejtori i Përgjithshëm, znj. Marjola Llanaj pritën sot në një takim të zhvilluar në mjediset e KLSH-së, grupin e vlerësuesve me përfaqësues të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) me qendër në Washington, kryesuar nga eksperti ndërkombëtar, Prof. Anthony Staddon.

Kontrolli i Lartë i Shtetit si një nga institucionet kryesore të mbikqyrjes së jashtme dhe faktor në vend, në luftën kundër korrupsionit, është pjesë e raportit vlerësues që NDI do të hartojë në kuadër të forcimit dhe zhvillimit të rolit të Parlamentit në politikat dhe masat anti-korrupsion

Gjatë takimit, znj. Llanaj paraqiti një kuadër të qartë të rolit dhe mandatit kushtetues të KLSH-së, duke e vënë theksin në bashkëpunimin dinamik me Parlamentin e Shqipërisë, veçanërisht me Komisionin për Ekonominë dhe Financat, me të cilën zhvillohet një komunikim i vazhdueshëm në dërgimin e rregullt të raporteve të auditimit dhe atyre mbi ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve.

Përgjatë diskutimit, u nënvizua edhe nga ekspertët, roli thelbësor që KLSH po luan në luftën kundër korrupsionit, si një institucion i angazhuar plotësisht dhe i cili po perceptohet gjithnjë e më shumë si një nga burimet kryesore të zbulimit të rasteve të mashtrimit dhe korrupsionit, nëpërmjet raporteve të besueshme të auditimit. Kjo e materializuar edhe në marrëveshjet e bashkëpunimit që KLSH ka nënshkruar me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme, por edhe në përfshirjen e plotë të institucionit për herë të parë në Strategjinë Kombëtare anti-korrupsion.

KLSH do të vijojë të bashkëpunojë me Parlamentin dhe Komisionin për Ekonominë dhe Financat duke e vënë theksin në rëndësinë që luan legjislativi, në ndërgjegjësimin e qeverisë lidhur me zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së, bashkëpunim që pritet të finalizohet me ngritjen e nënkomisionit të posaçëm, për shqyrtimin e zbatimit të këtyre rekomandimeve.

 


E-mail zyrtar