12 shkurt 2026
Në kuadër të auditimit të përbashkët rajonal të performancës “Fuqizimi i rolit të grave në pozita udhëheqëse dhe në marrjen e vendimeve”, u zhvillua në mjediset e KLSH-së, në datë 12 shkurt, takimi i parë i punës ndërmjet grupeve respektive të auditimit.
Kontrollit të Lartë të Shtetit në këtë auditim, i bashkohen Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës (ZKA), Enti Shtetëror i Revizionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me organizatën UN Women.
Përfaqësuesit e grupeve respektive të auditimit diskutuan mbi gjetjet paraprake, sfidat e përbashkëta të ndeshura deri në këtë fazë, si dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm drejt fazës së raportimit duke vlerësuar zbatimin e politikave për barazinë gjinore, respektimin e kuotave në procesin zgjedhor dhe përfaqësimin e grave në pozicionet drejtuese.
U evidentuan fenomenet kryesore të hasura gjatë procesit të auditimit, përkatësisht nga:
Kontrolli i Lartë i Shtetit u theksua se përfaqësimi i grave në Kuvend ka tejkaluar pragun 30% në zgjedhjet 2021 dhe 2025, ndërsa në nivel vendor është evidentuar fenomeni i dorëheqjeve të koordinuara, me ndikim në balancën gjinore. Diskutimet u fokusuan në forcimin e monitorimit, rritjen e transparencës dhe përmirësime ligjore për garantimin e zbatimit të kuotave edhe pas zgjedhjeve;
Enti Shtetëror i Revizionit i Republikës së Maqedonisë së Veriut u paraqit analiza mbi përfaqësimin e grave në nivel qendror, duke theksuar sfidat në pozicionet e larta menaxheriale dhe nevoja për sisteme më efektive monitorimi dhe raportimi të të dhënave gjinore;
Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës u evidentua hendeku në pozicionet vendimmarrëse në administratën publike dhe u theksua rëndësia e përmirësimit të proceseve të rekrutimit, avancimit në karrierë dhe koordinimit ndërinstitucional, për të mbështetur fuqizimin e grave në drejtim;
Pjesëmarrësit u fokusuan më tej në përgatitjen për fazën e raportimit, duke identifikuar veprimet kyçe dhe hapat e ardhshëm për finalizimin e auditimit dhe formulimin e rekomandimeve të përbashkëta.
Ky bashkëpunim rajonal synon të forcojë rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në promovimin e barazisë gjinore, transparencës dhe llogaridhënies, duke kontribuar në rritjen e përfaqësimit të grave në pozicionet drejtuese dhe vendimmarrëse në sektorin publik.
