Kontrolli i Lartë i Shtetit prezantoi rolin institucional në garantimin e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve publike, nëpërmjet materialit referues në konferencën ndërkombëtare me temë “Integriteti, Transparenca dhe Inovacioni në prokurimin publik”, të zhvilluar në datën 24 tetor 2025 në Leçe, Itali.
Kjo konferencë u zhvillua në kuadër të projektit “A.C.T – Anti – Corruption in Tenders”, i cili synon të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, për parandalimin e korrupsionit dhe garantimin e transparencës në prokurimet publike, duke u fokusuar jo vetëm në krijimin e mjeteve teknike, por edhe promovimin e një procesi ndërgjegjësues kulturor dhe institucional brenda qeverisjes qendrore dhe lokale. Në këtë konferencë morën pjesë aktorë të ndryshëm, si nga autoritete publike, fusha akademike dhe organizata të shoqërisë civile.
Nisur nga roli kyç i KLSH-së në garantimin e llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin e fondeve publike, organizatorët e konferencës çmuan të përshtatshme që të ofrohej një pasqyrë e aktivitetit të KLSH-së, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Shqipërisë, i cili kontrollon veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore dhe përdorimin e mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe lokal.
Në këtë aktivitet, KLSH-ja u përfaqësua nga audituesit Delor Prosi dhe Klaidi Tefik, të cilët prezantuan materialin me temë “Roli i KLSH-së në forcimin e integritetit dhe mbikqyrjes në prokurimet publike”. Në referimin e mbajtur, audituesit e KLSH-së dhanë një pasqyrë të aktivitetit institucional të KLSH-së në fushën e prokurimeve publike.
Audituesit referuan se si digjitalizimi i prokurimeve publike nëpërmjet Sistemit të Prokurimeve Elektronike, ka mundësuar gjenerimin, ruajtjen dhe analizimin e të dhënave, për të identifikuar elementë risku dhe materialiteti, si dhe “flamuj të kuq”, për t’u konsideruar në planifikimin vjetor të aktivitetit auditues të KLSH-së ose në auditime specifike që KLSH-ja zhvillon.
Më tej, audituesit dhanë një pasqyrë të problematikave kryesore të evidentuara përgjatë auditimit të procedurave të prokurimit publik, duke përfshirë parregullsitë e konstatuara në hartimin dhe argumentimin e specifikimeve teknike dhe kriteret e kualifikimit, shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave, si dhe ndjekjen dhe zbatimin e kontratave.
Ndër të tjera, u theksua bashkëpunimi i vazhdueshëm i KLSH-së me institucione të tjera, si Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, etj.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet shfaq edhe njëherë angazhimin e institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për bashkëpunim me organet publike, akademike dhe organizatat e shoqërisë civile, lokale dhe ndërkombëtare, për të promovuar integritetin dhe llogaridhënien në menaxhimin e fondeve publike.
