Në datat 24-27 qershor 2025, u zhvillua në Shkup, Bllok III i Programit të Trajnimit për Auditimin e Performancës, i organizuar nga SAI i Suedisë (SNAO). Trajnimi u zhvillua përmes një kombinimi të prezantimeve teorike, ushtrimeve praktike, punës në grupe dhe komenteve të ndërsjella ndërmjet pjesëmarrësve dhe trajnuesve, duke nxitur një proces të strukturuar dhe bashkëpunues.
Në këtë bllok trajnimi pjesëmarrësit ndoqën një program intensiv, i cili kishte për qëllim të forconte aftësitë analitike dhe metodologjike për përgatitjen e programit të auditimit të performancës. Ky bllok vijoi dhe thelloi njohuritë e fituara nga dy blloqet e mëparshme, duke u fokusuar në mënyrën se si ndërtohet një program auditimi i bazuar në problem, si përzgjidhen teknikat më të përshtatshme audituese dhe si argumentohet qasja metodologjike për auditimet konkrete që grupet kishin në zhvillim.
Gjatë sesioneve trajnuese u përshkruan rezultatet e pritshme nga trajnimi dhe u rifreskuan njohuritë nga blloqet e mëparshme. Pjesëmarrësit u njohën me konceptet e motivimit, përshkrimin e problemit social dhe problemit të auditimit, të cilat i analizuan me pas në grupe përmes komenteve të ndërsjella. Fokusi kaloi te formulimi i objektit të auditimit, pyetjeve dhe kritereve, të cilat u trajtuan si në aspektin teorik ashtu edhe përmes ushtrimeve praktike.
Më tej, sesionet u fokusuan në punën në grupe dhe dhënien e komenteve mbi elementët si pyetjet, kriteret dhe fushën në programin e auditimit, si dhe u trajtuan studimet e proceseve përmes prezantimit dhe ushtrimeve praktike, me qëllim identifikimin e pikave të dobëta në rrjedhën e një procesi auditimi.
Në përfundim të sesioneve të trajnimit, u zhvillua një leksion mbi proceset krahasuese dhe benchmarking, të ndjekur nga një ushtrim me raste konkrete ku grupet punuan individualisht për të reflektuar mbi tipologjinë e programit të tyre dhe për të vlerësuar nëse ishte ende i përshtatshëm apo kërkonte rishikim.
Rëndësi e veçantë iu kushtua studimeve të rasteve si një metodë thelbësore në auditimin e performancës. Pjesëmarrësit u angazhuan në ushtrime praktike për të rishikuar programet e tyre të auditimit. Grupet prezantuan programet e tyre me fokus te metodat e mbledhjes së të dhënave dhe burimet përkatëse, duke marrë komente nga kolegët dhe trajnuesit.
Grupi i auditueseve të KLSH-së përbëhet nga Annavanessa Hoxhaj, Lorena Liçi dhe Arjeta Çoku, të cilat po zhvillojnë auditimin me temë “Kujdesi komunitar për të moshuarit dhe decentralizimi i shërbimit”.
