Njoftim për shtyp
Departamenti i Auditimit të Institucioneve Qendrore në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në zbatim të autorizimeve nr. 792/1, datë 27.08.2020, nr. 792/2, datë 27.08.2020 dhe nr. 792/4, datë 03.09.2020, të miratuar nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka ushtruar auditimin në Ministrinë e Shtetit për Rindërtim, në Bashkinë Durrës dhe në Institutin e Ndërtimit, me objekt “Mbi zbatimin e procedurave ligjore në lidhje me Vendimin nr. 32, datë 02.07.2020 të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, për objektet arsimore të cilat janë përfshirë në listën e objekteve që do të rindërtohen dhe rikonstruktohen në Bashkinë Durrës, procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksioni dhe shtesa anësore dhe palestrës së re në shkollën 9-vjeçare “14 Nëntori”, si dhe marrjen në dorëzim të objektit ”.
Sa i përket procedurës së prokurimit për objektin “Rikonstruksioni, shtesë anësore dhe palestër e re në shkollën “14 Nëntori”, Bashkia Durrës” KLSH konstatoi se:
- Nuk janë respektuar normat tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në mbajtjen e procesverbaleve dhe akteve të tjera gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit në kundërshtim nenin 57 “Personi përgjegjës për prokurimin dhe njësia e prokurimit”, të VKM-së nr. 914, datë 29.12.2017,
- Grupi i auditimit konstatoi parregullsi dhe paqartësi në hartimin dhe miratimin e DST, specifikimeve teknike dhe kritereve të veçanta për kualifikim, pa dhënë argumentet e nevojshme, në kundërshtim me nenin 23 të LPP, si dhe për shkelje të nenit 57 “Personi përgjegjës për prokurimin dhe njësia e prokurimit” të VKM-së nr. 914, datë 29.12.2017, pika 4,
- Grupi i auditimit konstatoi mungesën e vlerësimit të mangësive dhe vazhdimin e procedurave të prokurimit në mungesë të sa më sipër, në shkelje të nenit 55 “Kriteret e përcaktimit të ofertës fituese”, nenit 66 “Shqyrtimi dhe vlerësimi i ofertave”, të LPP dhe nenit 26 “Kontratat për punë publike”, nenit 58 “Komisioni i vlerësimit të ofertave”, të VKM-së nr. 914, pika 8
- Grupi i auditimit konstatoi mosmarrje në konsideratë të detyrimeve vendore të papaguara në bashkitë e tjera gjatë procedurave të prokurimit, në kundërshtim me nenin 55 “Kriteret e përcaktimit të ofertës fituese”, nenit 66 “Shqyrtimi dhe vlerësimi i ofertave”, të LPP dhe nenit 26 “Kontratat për punë publike”, nenit 58 “Komisioni i vlerësimit të ofertave”, të VKM-së nr. 914, pika 8
- Grupi i auditimit konstatoi se është vepruar me dy standarde përzgjedhjen e operatorit fitues, në kundërshtim me nenin 20 “Mosdiskriminimi”, nenit 55 “Kriteret e përcaktimit të ofertës fituese”, nenit 66 “Shqyrtimi dhe vlerësimi i ofertave”, të LPP dhe nenit 26 “Kontratat për punë publike” dhe nenit 58 “Komisioni i vlerësimit të ofertave”, të VKM-së nr. 914, pika 8
Sa i përket zbatimit të projektit me objektin “Rikonstruksioni, shtesë anësore dhe palestër e re në shkollën “14 Nëntori”, Bashkia Durrës grupi i auditimit konkludoi se:
- Edhe pse territori ku është kryer ndërtimi, bën pjesë në Zonën Arkeologjike “B” të qytetit Durrës, për ndërtimin e tij nuk rezulton të jenë kryer vëzhgime intensive sondazheve arkeologjike apo formave të tjera të testimit nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik dhe as të ketë miratimin me shkrim nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, në kundërshtim me VKM-së nr. 237, datë 23.03.2011, “Për miratimin e rregullores “Për administrimin e zonës arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Durrësit””, neni 3 dhe 4.
Mosndjekja e këtyre procedurave, mbart riskun jo vetëm të mosrishikimit të projektit, kur gjatë zbatimit të projektit ndërtimor mund të zbulohen gjetje të rëndësisë së veçantë, por edhe dëmtimin e monumenteve dhe strukturave arkeologjike
- Për këtë objekt nuk është kryer oponencë teknike, në kundërshtim me nenin 6, të Ligjit nr. 8402 “Për disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar, e cila i shërben certifikimit të projektit të zbatimit dhe moskryerja e saj mbart riskun e një projekti të paplotë dhe të hartuar në kundërshtim me Kushtet Teknike të Projektimit dhe legjislacioni në fuqi.
- Objekti është projektuar pa patur detyrë projektimi dhe pa patur studimin gjeologjik të terrenit në të cilin do të ndërtohen shtesat e objektit dhe palestra e re, në kundërshtim me Ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, duke implikuar projektimin jo të saktë të themeleve dhe të strukturës së objekteve.
Në lidhje me auditimin mbi zbatimin e procedurave ligjore në lidhje me Vendimin nr. 32, datë 02.07.2020 të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, në Institutin e Ndërtimit dhe Bashkinë Durrës, KLSH konstatoi se:
- Në kushtet kur inicimi, nga Bashkia Durrës, i kërkesës për hartimin e akt-ekspertizave është i pabazuar në ndonjë kërkesë për rivlerësim të thelluar, të diktuar nga akt konstatimet paraprake dhe për më tepër që vetë Instituti i Ndërtimit i cili ka hartuar dhe miratuar këto akte njëkohësisht ka bërë dhe oponencën e tyre, në kundërshtim me VKM-në nr. 26, datë 15.01.2020, “Për kryerjen e akt ekspertizës së thelluar në ndërtesat e dëmtuara”, gjykojmë se procedurat e ndjekura mbartin riskun që aktet e ekspertizës (së thelluar) të mos shprehin saktë dhe drejtë situatën.
- Në asnjë prej rasteve objekt i këtij auditimi,aktekspertiza e thelluar nuk përmbante, (i)masat për riparimet dhe ndërhyrjet që duhen kryer për të garantuar sigurinë e jetës dhe të shëndetit të njerëzve, si dhe (ii) vlerën financiare për këto ndërhyrje, në kundërshtim me sa parashikon nenit 34, paragrafi 2 i Aktit Normativ nr. 9, datë 16,12,2019 ‘Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore’. Mungesa e vlerës financiare (pra kostos së riparimit dhe kostos së rindërtimit) ka bërë që vendim-marrja për rindërtim ose rikonstruksion të këtyre objekteve, të jetë e pabazë, duke mbartur riskun qe njëkohësisht të jetë edhe e gabuar.
- 3. Akt ekspertizat e thelluara, kanë kaluar në Protokoll, vetëm pas verifikimeve të bëra nga ana e Koordinatores së IN-së dhe firmosjes nga ana e titullarit të IN, për t’u dërguar më pas pranë Bashkisë Durrës”, në kundërshtim kjo me nenin 13 të “Normave tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë, duke mbartur risqe të tjetërsimit të dokumentit.
- Nga auditimi rezultoi se, dokumentet e titulluara “Oponenca Teknike”, të cilat janë kryer vetëm për objektet e cilësuar për rindërtim (nga të cilat vetëm oponencat për shkollën dhe konviktin e shkollës “Bernardina Qerraxhija” janë protokolluar), bëjnë një përshkrim dhe përsëritje të akt ekspertizave, duke mos paraqitur asnjë të dhënë dhe duke mos i shërbyer kështu qëllimit për të cilin kryen.
- Referuar shkresës me nr. Extra Prot., datë 22.09.2020, të Drejtorisë së Planifikimit, në Bashkinë Durrës, mbi PDyV-të (planet e detyruara vendore) të miratuara deri më datë 22.09.2020 rezultoi se, 11 objektet subjekt i këtij auditimi, nuk përfshihen në asnjë PDyV të miratuar deri në këtë datë si dhe nuk rezultojnë aplikime në sistemin elektronik e-leje për leje prishje, leje zhvillimi apo leje ndërtimi.
Në përfundim, grupi i auditimit vlerësoi se, në kushtet kur procedurat e ndjekura për vlerësimin e 11 objekteve të Bashkisë Durrës, që kanë pësuar dëme gjatë tërmetit, janë kryer në kundërshtim me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi, dhe si pasojë edhe dokumentet – produkt i këtyre procedurave (akt ekspertizat, oponencat) nuk janë në përputhje me kriteret ligjore, procesi i vendimmarrjes veçanërisht për prishjen e detyruar të objekteve, është i pabazë dhe mbart riskun që njëkohësisht të jetë edhe i gabuar.
Në zbatim të Vendimit të Kryetarit, duke e konsideruar procesin e rindërtimit një proces me impakt të gjerë publik dhe që duhej trajtuar me rëndësi të veçantë, në përfundim të auditimit janë dhënë 16 masa organizative, 1 masë për shpërblim dëmi, 2 masa administrative dhe 4 masa disiplinore.
Për t’u njohur me trajtimin më të hollësishëm të sa më sipër, Raporti përfundimtar i auditimit të ushtruar në Ministrin e Shtetit për Rindërtim, Bashkinë Durrës dhe Institutin e Ndërtimit është publikuar në faqen web dhe mund ta gjeni duke ndjekur link-un:
Raporti Përfundimtar i Auditimit