Njoftim për shtyp
Departamenti i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ushtroi një auditim me temë “Manaxhimi i Transportit Hekurudhor në Shqipëri” në subjektet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Hekurudha Shqiptare, Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor dhe Instituti i Transportit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në përfundim të auditimit ka dalë në mesazhin e auditimit:
Masat e marra nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Hekurudha Shqiptare SH.A lidhur me menaxhimin e transportit hekurudhor në Shqipëri nuk kanë qenë efektive. Ligji nr. 142/2016, datë 22.12.2016 “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë” nuk është zbatuar plotësisht.
Arsyeja kryesore e mos zbatimit të këtij ligji është mos krijimi i Autoritetit Rregullator Hekurudhor, Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore, Autoritetit Kombëtar të Investigimit të Aksidenteve dhe Incidenteve Hekurudhore dhe Autoritetit Licencues Hekurudhor. Investimet në sektorin e transportit hekurudhor për periudhën 2016-2019 nuk kanë qenë të mjaftueshme duke mos realizuar disa prej objektivave kryesore të Strategjisë Sektoriale të Transportit 2016-2020. Treguesit kryesorë të performancës së sistemit hekurudhor janë në nivele shumë të ulëta. Numri i pasagjerëve hekurudhorë për vitin 2019 ishte më i ulëti i shënuar të paktën prej disa dekadash.
Cilësia e shërbimit, siguria hekurudhore së bashku me infrastrukturën hekurudhore janë në gjendje të mjerueshme.
Linjat hekurudhore sot janë tkurrur si kurrë më parë si rezultat i përkeqësimit dhe daljes jashtë funksionit të disa veprave kryesore të artit si ura e Ishmit, ura e Rrogozhinës etj.
Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar 17 masa organizative, me Vendimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr.19, datë 16.02.2021.
Për sa trajtuar më lart, në mënyrë të detajuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:
Raporti Përfundimtar i Auditimit