Banner

Programi i certifikimit mbi menaxhimin e aktiveve të sektorit publik

Kryefaqja » Uncategorized » Programi i certifikimit mbi menaxhimin e aktiveve të sektorit publik
Kryetari

Në datat 12–16 tetor 2026, u zhvillua në Lubjanë, programi i certifikimit “Certifikimi i Menaxhimit të Aktiveve”, i organizuar nga Qendra e Ekselencës në Financë (CEF), në bashkëpunim me Institutin e Certifikuar për Financat Publike dhe Kontabilitetin (CIPFA) dhe ekspertë ndërkombëtarë e rajonalë.

Ky program zhvillohet në kuadër të nismës “Empowered Accountants and Auditors for Accountable Public Sector (EAPS)” me fokus menaxhimin e aktiveve të qëndrueshme të sektorit publik. Programi synon të ndërthurë standardet dhe praktikat ndërkombëtare me specifikat e vendeve të Evropës Juglindore dhe Lindore, në funksion të përmirësimit të administrimit dhe përdorimit të pasurisë publike.

Gjatë zhvillimit të programit u trajtuan çështje që lidhen me qeverisjen dhe organizimin e menaxhimit të aktiveve, rëndësinë e përcaktimit të përgjegjësive institucionale dhe bashkëpunimit ndërmjet strukturave të ndryshme, si dhe mënyrën e organizimit të shërbimeve përgjegjëse për administrimin e pronës publike.

Vëmendje e veçantë iu kushtua qasjeve të CIPFA-s për hartimin e dokumentacionit të menaxhimit të aktiveve, përfshirë politikat, strategjitë dhe planet e veprimit, në përputhje me qëllimet, prioritetet dhe objektivat e institucionit. Gjithashtu, u trajtuan metodologjitë për analizimin e problematikave që lidhen me aktivet, si dhe mënyrat e vlerësimit të tyre në nivel të përgjithshëm dhe të detajuar, me qëllim identifikimin e mundësive për përmirësimin e administrimit të tyre.

Një tjetër çështje e rëndësishme e trajtuar në program ishte menaxhimi i performancës së aktiveve, vlerësimi i vlerës sociale që ato krijojnë, si dhe përdorimi i sistemeve të informacionit për mbledhjen, administrimin dhe raportimin e të dhënave. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e krijimit dhe mirëmbajtjes së regjistrave të plotë dhe të saktë të aktiveve të sektorit publik, si një element thelbësor për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit në administrimin e pronës publike. Gjithashtu, u trajtuan parimet e njohjes, matjes dhe raportimit financiar të aktiveve të sektorit publik, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (IPSAS). Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë program mori pjesë Klaudio Halili, auditues pranë Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit.


✉ E-mail zyrtar