Në datat 10-11 shtator 2026, KLSH mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Transparenca dhe Llogaridhënia në Shpenzimet e Mbrojtjes”, e organizuar nga Bordi Ndërkombëtar i Audituesve për NATO-n (IBAN) dhe Gjykata Rumune e Llogarive, në Bukuresht. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga institucionet supreme të auditimit të shteteve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe të Ukrainës dhe Republikës së Moldavisë, krahas përfaqësuesve nga IBAN, Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA), Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI).
Konferenca u fokusua në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira lidhur me auditimin në sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë. Këto praktika, u trajtuan në një kontekst ndërkombëtar, të karakterizuar nga rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, zhvillimi i programeve të mëdha të investimeve dhe nevoja për të gjetur një ekuilibër të përshtatshëm midis transparencës, llogaridhënies publike dhe mbrojtjes së informacionit të klasifikuar.
Gjatë konferencës, pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e menaxhimit të burimeve të mbrojtjes në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente, ndërkohë që shtetet investojnë gjithnjë e më shumë në këtë sektor, i cili është bërë prioritet për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të tyre. Gjetja e një ekuilibri midis qëndrueshmërisë së financave publike dhe këtyre investimeve strategjike, është një nga sfidat kryesore të qeverisjes ekonomike. Institucionet supreme të auditimit kanë për detyrë të monitorojnë nga afër mënyrën se si arrihet ky ekuilibër, duke siguruar që disiplina buxhetore të mbetet një mjet për stabilitetin dhe jo një pengesë për sigurinë tonë kolektive. Gjithashtu u theksua nevoja për llogaridhënie në menaxhimin e burimeve publike, duke vënë në dukje se kjo nevojë bëhet gjithnjë e më kritike ndërsa shpenzimet për mbrojtjen rriten, duke u udhëhequr nga moto “Siguria nuk mund të jetë sinonim i mungesës së llogaridhënies”.
Në këtë konferencë ndërkombëtare u trajtuan llojet e auditimit në sektorin e mbrojtjes, metodologjitë e auditimit të rëndësishme për fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe bashkëpunimi midis IBAN-it dhe institucioneve supreme të auditimit të shteteve anëtare të NATO-s, duke na dhënë eksperienca të vlefshme dhe të rëndësishme për angazhimin e KLSH-së në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe për sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies të administratës publike në fushën e shpenzimeve të mbrojtjes.