Në datat 30 shtator – 1 tetor 2026, në Shkup, u mbajt Konferenca Rajonale “Për Parandalimin e Korrupsionit dhe Vlerësimin e Riskut të Korrupsionit në Ballkanin Perëndimor”, një iniciativë e përbashkët e SAI-t të Maqedonisë së Veriut dhe Institutit për Financat Publike dhe Kontabilitetin (CIPFA).
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga institucionet përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit dhe agjencitë e prokurimit publik të vendeve të rajonit, si dhe përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit, si Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ishte pjesë e panelit të organizuar në sesionin e dytë të punimeve të konferencës, gjatë së cilit, diskutimet u përqendruan në tre tema kryesore: vlerësimi i riskut të korrupsionit në procesin e auditimit, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit, institucioneve kundër korrupsionit dhe atyre të prokurimit publik, si dhe kërkesat e Bashkimit Evropian mbi zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.
Në këtë kuadër, pjesëmarrësit në panel, shkëmbyen përvoja dhe praktika mbi rolin e auditimit publik në identifikimin e risqeve dhe forcimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në sektorin publik, ku përfaqësuesi i KLSH-së theksoi rëndësinë e vlerësimit të riskut në procesin e auditimit, për identifikimin e fushave më të ekspozuara dhe orientimin e auditimit drejt parandalimit të problematikave.
Në lidhje me bashkëpunimin ndërinstitucional, u theksua se auditimi publik kontribuon në parandalimin e korrupsionit përmes evidentimit të dobësive të kontrollit të brendshëm, mangësive në menaxhimin financiar dhe proceseve me ekspozim të lartë ndaj riskut. Vëmendje e veçantë iu kushtua prokurimit publik, si një fushë me rëndësi të veçantë për auditimin, si dhe nevojës për shkëmbim informacioni dhe komunikim ndërmjet institucioneve përgjegjëse duke respektuar mandatin dhe pavarësinë e secilit prej tyre.
Gjithashtu, nga KLSH, u nënvizua rëndësia e zhvillimit të auditimit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe kërkesat e procesit të integrimit evropian, si dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal përmes shkëmbimit të përvojave dhe metodologjive ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit.
Në përfundim, u theksua se KLSH mbetet i angazhuar të kontribuojë, përmes një auditimi të pavarur dhe profesional, në forcimin e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit në administrimin e burimeve publike.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë konferencë nga z. Ardian Myslimaj, z. Agron Halili dhe z. Henri Axhushi.