Banner

“Nga auditimi në veprim”, KLSH dhe SECO nënshkruajnë marrëveshjen e re për fuqizimin e mbikëqyrjes publike

Kryefaqja » Njoftime » “Nga auditimi në veprim”, KLSH dhe SECO nënshkruajnë marrëveshjen e re për fuqizimin e mbikëqyrjes publike
Kryetari

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, dhe Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber, nënshkruan më datë 16.06.2026, Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) dhe Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), për zbatimin e projektit “From Audit to Action in Albania” gjatë periudhës 2026–2029.

Marrëveshja e re shënon vazhdimësinë e partneritetit të suksesshëm ndërmjet KLSH-së dhe SECO-s, i ndërtuar mbi rezultatet e projektit të mëparshëm “Forcimi i auditimit të jashtëm lidhur me mbikëqyrjen e Koncesioneve dhe Partneriteteve Publik-Private”, i përmbyllur në Dhjetor 2024. Ky projekt kontribuoi në rritjen e kapaciteteve profesionale të KLSH-së për auditimin e PPP-ve dhe koncesioneve, duke sjellë rezultate konkrete si realizimi i tre auditimeve pilot, organizimi i një vizite studimore, hartimi i Manualit të Auditimit të PPP-ve dhe Koncesioneve.

Duke u mbështetur mbi këtë përvojë të suksesshme, projekti i ri synon të forcojë më tej rolin e auditimit të jashtëm publik. Komponenti kryesor i bashkëpunimit ndërmjet KLSH-së dhe SECO-s do të fokusohet në projektin “Forcimi i kapaciteteve të auditimit për mbikëqyrjen e sektorit financiar bankar dhe jobankar në Shqipëri”. Një element i rëndësishëm i projektit është forcimi i lidhjes ndërmjet auditimit publik dhe mbikëqyrjes parlamentare. Për këtë qëllim, projekti parashikon dhe bashkëpunim edhe me National Democratic Institute (NDI) dhe Nënkomisionin Parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik, nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta me synim forcimin e lidhjes ndërmjet auditimit publik dhe mbikëqyrjes parlamentare.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të SECO-s dhe Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, duke theksuar se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale të KLSH-së dhe në rritjen e ndikimit të auditimit publik, në përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit të financave publike.

Nga ana e saj, Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber, rikonfirmoi angazhimin e Zvicrës për të mbështetur institucionet shqiptare në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë, duke vlerësuar rezultatet e arritura nga bashkëpunimi me KLSH-në dhe potencialin e projektit të ri për të sjellë ndikim të qëndrueshëm në sektorin publik.

Me këtë marrëveshje, KLSH dhe SECO riafirmojnë angazhimin e përbashkët për forcimin e auditimit të jashtëm publik si një instrument kyç për transparencën, llogaridhënien dhe përdorimin më efikas të fondeve publike në Shqipëri.


E-mail zyrtar