Në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e themelimit të institucionit, Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi në datat 6 dhe 7 maj 2025, konferencën shkencore me temë “Ndërtimi i institucioneve të adaptueshme: Përshtatja me dinamikat e mjedisit – Një perspektivë e auditimit të jashtëm”, me pjesëmarrjen e institucioneve supreme të auditimit nga Kosova, Bosnje Hercegovina, Rumania, Greqia, Turqia, Azerbajxhani dhe Suedia. Pjesëmarrës në konferencë ishin edhe përfaqësues të lartë nga organizata ndërkombëtare e auditimit, IDI- INTOSAI dhe SIGMA – OECD.
Në fjalën hapëse të konferencës, Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, duke falënderuar për pjesëmarrjen përfaqësuesit e institucioneve homologe të auditimit, theksoi se ky përvjetor i rëndësishëm është një moment historik, që shënon një shekull përkushtim ndaj transparencës, përgjegjshmërisë dhe forcimit të mirëqeverisjes në vendin tonë; dhe, për të cilin, kemi zgjedhur të reflektojmë jo vetëm mbi rrugëtimin tonë, por edhe mbi sfidat dhe transformimet që po ndodhin sot në fushën e auditimit të jashtëm.
“Tema e konferencës sonë për ndërtimin e institucioneve të adaptueshme, më tepër se një diskutim teknik është një thirrje për reflektim dhe veprim, në një mjedis rregullator, teknologjik dhe institucional që po ndryshon me ritme tepër të vrullshme. Kjo kërkon që institucionet të jenë të afta të përshtaten dhe të përmirësojnë vazhdimisht kapacitetet e tyre. Në këtë kontekst, roli i auditimit të jashtëm është thelbësor, jo vetëm për të evidentuar mangësitë, por edhe për të mbështetur institucionet në forcimin e menaxhimit dhe rritjen e efektivitetit në përmbushjen e mandatit të tyre”, u shpreh z. Shehu.
Kryetari i KLSH-së vlerësoi se pjesëmarrja e gjerë e institucioneve supreme të auditimit nga rajoni dhe më gjerë, së bashku me kontributin e partnerëve ndërkombëtarë, është një dëshmi e qartë e vlerës së bashkëpunimit në avancimin e qeverisjes së mirë dhe forcimin e institucioneve publike.
Përfaqësuesit e institucioneve homologe të auditimit shprehën urimet për 100-vjetorin e institucionit, duke vlerësuar arritjet ndër vite dhe vijimin e bashkëpunimit. Gjatë kësaj konference, SAI-et diskutuan mbi qasjet moderne në metodologjitë e auditimit, rolin e teknologjisë, menaxhimin e cilësisë dhe zhvillimin e kapaciteteve, si dhe sfidat me të cilat përballen në procesin e punës.