Banner

Mbahet nga data 7-11 nëntor 2022 në Rio de Zhaneiro, Brazil, Kongresi ndërkombëtar i institucioneve supreme të auditimit, XXIV INCOSAI

Kryefaqja » Njoftime » Mbahet nga data 7-11 nëntor 2022 në Rio de Zhaneiro, Brazil, Kongresi ndërkombëtar i institucioneve supreme të auditimit, XXIV INCOSAI
Kryetari

7-11 nëntor 2022

Nga data 7-11 nëntor 2022, u zhvillua në Rio de Janeiro, Brazil, Kongresi i XXIV i INCOSAI’t (Kongresi Ndërkombëtar i Institucioneve Supreme të Auditimit) nën drejtimin e Gjykatës Federale të Llogarive të Brazilit.

Temat kryesore të trajtuara gjatë këtij eventi ndërkombëtar të komunitetit të auditimit të jashtëm ishin:

– “Puna e Institucioneve Supreme të Auditimit përballë emergjencave publike”

Reagimi i SAI-ve ndaj emergjencave dhe ndryshimi i mjedisit dhe rrisqet e shfaqura; Efektet e ndryshimeve klimatike dhe situatave të tjera emergjente, të tilla si fatkeqësitë natyrore të shkaktuara nga njeriu, krizat financiare dhe pandemitë, sfidojnë SAI-t që të ofrojnë mbikëqyrje për të ndihmuar qeveritë dhe qytetarët e tyre me gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave, si dhe të përshtasin veprimtarinë e tyre;

– Zëri global, rezultati global dhe ndikimi i gjerë”

Potenciali i SAI-ve për të nxitur dhe forcuar përtej INTOSAI-t zërin global; Ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit midis SAI-ve për të siguruar që mesazhet e rëndësishme të dëgjohen përtej komunitetit të auditimit dhe të ndikojnë tek vendimmarrësit duke rritur efektivitetin e komunikimit ndërmjet INTOSAI-t dhe SAI-ve, si dhe me organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë. Një prej objektivave kryesorë është komunikimi i rezultateve të punës së kryer nga SAI-t për tema me rëndësi të veçantë që përforcon legjitimitetin e SAI-t brenda çdo vendi dhe kontribuon drejt rritjes së llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.

Në këtë Kongres, Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë me delegacionin e përbërë nga Kryetari, z. Arben Shehu, Drejtori i Përgjithshëm, znj. Marjola Llanaj dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit të Investimeve të Huaja, z. Ryisim Xhaja.

Gjatë seancës së parë plenare, raportuan Sekretariatet e Përgjithshme të organizatave rajonale të INTOSAI-t, respektivisht AFROSAI, ARABOSAI, ASOSAI, EUROSAI, OLACEFS, CAROSAI dhe PASAI. Në fjalën e tyre, Sekretarët e Përgjithshëm të këtyre organizatave të përfaqësuara nga kryetarët e SAI-ve i njohën të pranishmit me të gjitha aktivitetet dhe bashkëpunimet e zhvilluara përgjatë tre-vjeçarit të kaluar, si dhe me sfidat për të ardhmen.

Një sesion i veçantë u ishte dedikuar partnerëve dhe grupeve të interesit me të cilët INTOSAI ka jo vetëm një bashkëpunim të vazhdueshëm me qëllim thellimin e njohurive dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale, por edhe të adresimit të çështjeve me rëndësi të veçantë, në të cilat SAI’t duhet të fokusojnë punën e tyre. U përshëndetën dhe u falenderuan gjatë këtij sesioni për mesazhet e tyre, përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore, Fondacionit Ndërkombëtar të Kontabilistivë, Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim, etj.

Punimet e Kongresit nxitën diskutime të shumta, identifikuan praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra nga secili vend në përshtatjen me risqet e reja dhe ndryshimet me fokus kryesor:

  • Mbi reagimin e SAI-ve ndaj emergjencave, risqeve të reja dhe ndryshimeve të mjedisit;
  • Mbi përfitimet e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet SAI-ve me strukturat e INTOSAI-t dhe palët e jashtme të interesit;
  • Mbi rëndësinë e parimeve dhe standardeve të auditimit, që udhëzojnë se si janë pozicionuar SAI-t në ekosistemin e tyre të llogaridhënies për të ofruar punë cilësore që shton vlerë;
  • Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG)

Gjithashtu vëmendje iu kushtua aktiviteteve të zhvilluara nga Komitetet e INTOSAI-t ku një vend të veçantë zuri raportimi i Komitetit të Standardeve Profesionale, me fokus tek digjitalizimi, qëndrueshmëria dhe komunikimi me synim kryesor tek Qartësia dhe Koherenca.

Interes ngjalli studimi i prezantuar nga Kontrollori i Përgjithshëm i GAO-s së SHBA, z. Gene Dodaro mbi pikat kryesore që SAI-t duhet të aplikojnë gjatë auditimeve të tyre dhe të kenë në konsideratë kur japin rekomandime për institucionet si:

  • Detyra të mirë përcaktuara dhe përgjegjësitë e tyre, ku duhet të konsiderohen mirë të gjithë grupet e interesit;
  • Plani i emergjencës që duhet te disponohet nga çdo institucion;
  • Vendosja e mekanizmave të transparencës dhe llogaridhënies;
  • Mbledhja, sigurimi dhe analizimi i të dhënave të besueshme;
  • Hartimi i metodologjive për të audituar fenomenet në kohë reale;
  • Ndjekja e rekomandimeve të lëna më parë

Në ditën e fundit të punimeve të Kongresit u diskutua mbi objektivat kryesorë strategjikë për vitet në vijim dhe nevojës për rritjen e bashkëpunimit mes SAI-ve në luftën kundër korrupsionit dhe në zhvillimin e qëndrueshëm, pavarësisht risqeve dhe ndryshimeve ekonomiko-politike. Kongresi i XXIV i INCOSAI-t miratoi standartet ndërkombëtare të auditimit për sektorin publik, Deklaratën e Rios, si një udhëzues bashkëpunimi ndërkombëtar për komunitetin e institucioneve supreme të auditimit si dhe Planin Strategjik INTOSAI 2023–2028.

Kongresi i XXV INCOSAI do të zhvillohet në Egjipt

Gjatë pjesëmarrjes në punimet e Kongresit, Kryetari i KLSH-së zhvilloi disa takime me homologë dhe përfaqësues të SAI-ve të pranishëm, gjatë të cilave u shpreh interesi i ndërsjellë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin institucional edhe në planin dypalësh, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale. Gjatë takimeve me homologun e SAI-t të Izraelit dhe përfaqësuesin e SAI-t të Koresë së Jugut, z. Shehu diskutoi më gjerësisht mbi zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale me fokus kryesor auditimin e sistemeve IT.

                 

                   

 

                    

 

       

 

 

 

 

 

 

 

 


E-mail zyrtar