Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, në datën 03.10.2024 priti në një vizitë zyrtare dyditore Presidentin e Gjykatës Turke të Llogarive, z. Metin Yener dhe delegacionin që e shoqëronte.
Në këtë vizitë, Presidenti i Gjykatës Turke të Llogarive (TCA – Turkish Court of Accounts) shoqërohej nga Kryetari i Dhomës së Gjykatës Turke të Llogarive, z. İdris Bulut, Drejtori i Përgjithshëm, z. Mehmet Demir, Drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, z. Eşref Edip Çiçekli.Gjatë takimit të zhvilluar në datën 03.10.2024 në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit me delegacionin e TCA (Turkish Court of Accounts) u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për vijimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve supreme të auditimit.
Z. Shehu dhe homologu turk z. Yener, shprehën angazhimin e plotë në forcimin e bashkëveprimit në çështje me interes të përbashkët.
Kryetari i KLSH-së falënderoi z. Metin Yener për vizitën dhe shprehu vlerësimet më të larta për marrëdhënien e bashkëpunimit që është krijuar me Gjykatën Turke të Llogarive.
Z. Shehu theksoi se bashkëpunimi me institucionet homologe të auditimit përbën një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit institucional, në funksion të rritjes së kapaciteteve profesionale audituese.
Presidenti i Gjykatës Turke të Llogarive, duke falënderuar z. Shehu për mikpritjen theksoi se, me memorandumin e firmosur bashkëpunimi me Kontrollin e Lartë të Shtetit do të rritet: “Shpresoj që me këto firma, bashkëpunimi do të rritet dhe forcohet edhe më tepër. Këto firma janë fillimi i punëve të tjera më të mëdha.”
Bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Gjykata e Llogarive e Turqisë do të shkëmbejnë eksperienca në fushën e auditimit të jashtëm të pavarur dhe kontrollit financiar shtetëror, në auditimet e performancës, përputhshmërisë, TI-së, si dhe në analizën e të dhënave. Gjithashtu, midis dy institucioneve mund të realizohet kryerja e projekteve të përbashkëta kërkimore për tema me interes të përbashkët, organizimi i konferencave, seminareve, takimeve të punës etj.
Dokumenti i nënshkruar është i rëndësishëm për Kontrollin e Lartë të Shtetit, sepse Gjykata Turke e Llogarive është një ndër institucionet më të rëndësishme të auditimit në Evropë.
Gjatë qëndrimit dyditor në Shqipëri, delegacioni i TCA-së zhvilloi një vizitë në qytetin e Vlorës dhe Bazën Detare të Pashalimanit.


