29 tetor 2025
Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, zhvilloi një takim me Gjeneralin B. Giovanni Salerno, Komandant i Njësisë Speciale Antikorrupsion të Guardia di Finanza, dhe përgjegjës për sigurimin e ligjshmërisë në administratën publike, si dhe Kolonelin Giampiero Carrieri, ekspert i Guardia di Finanza për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë.
Gjatë takimit, z. Shehu shprehu falënderimet për vizitën dhe gjithashtu theksoi vlerësimin e tij maksimal për institucionet italiane dhe mbështetjen që ato i kanë ofruar institucioneve shqiptare. Në veçanti, ai theksoi vlerën e shtuar të bashkëpunimit ndërmjet Guardia di Finanza dhe KLSH-së.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Guardia di Finanza, vlerësuan punën që po zhvillon KLSH në drejtim të evidentimit të parregullsive në administrimin e menaxhimin e buxhetit të shtetit, në veçanti në fushën e prokurimeve publike dhe dëmit ekonomik, si dhe shprehën dëshirën që marrëdhëniet tashmë shumë të mira të bashkëpunimit, të mund të përparojnë gjithnjë e më tepër. Institucionalisht u shpreh gatishmëria për të organizuar e zhvilluar aktivitete të ndërsjella, me qëllim shkëmbimin e metodologjive dhe eksperiencave më të mira midis Guardia di Finanza dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Duke theksuar edhe një herë vlerësimet e tij për këtë njësi speciale antikorrupsion në fushën e parandalimit të këtij fenomeni, në veçanti në kontekstin e prokurimit publik, z. Shehu shprehu vullnetin dhe angazhimin e plotë për të vijuar këtë iniciativë të përbashkët duke përftuar nga ekspertiza më e mirë italiane në fushat me interes të veçantë.
